Sipërmarrësi greko-amerikan, kreu i ri i Syriza

Stefanos Kasselakis fitoi 56.69% të votave, ka sinjalizuar se do të zbatojë ndryshime rrënjësore

Stefanos Kasselakis, një sipërmarrës greko-amerikan ka dalë fitues nga gara për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në Greqi, Syriza.

Kasselakis i cili shpalli kandidaturën e tij për postin katër javë më parë, fitoi ne raundin e dyte me 56.69% të votave kundrejt 43.31% për Efi Achtsioglou, Ahçioglu një ish-ministre e punës, ishte konsideruar prej kohësh si  favorite për të fituar.

“Fitoi drita dhe shpresa kolektive, shpresa për të ardhmen… Unë nuk jam një fenomen. Unë jam zëri i një shoqërie dhe nuk do t’ju zhgënjej. Nesër fillon puna e vështirë,” u shpreh para mbështetësve Stefanos Kasselakis.

Rreth 133,600 votues votuan në rreth 537 qendra votimi në mbarë Greqinë, ndërsa nga Syriza e përshkruan pjesëmarrjen si mbresëlënëse dhe treguese të dëshirës për të parë një parti opozitare të rigjallëruar dhe të fortë përballë qeverisë së Mitsotakis. Fitorja në këtë garë e biznesmenit u përshkrua si mahnitëse dhe e paprecedentë, duke e bërë Kasselakis tani një nga njerëzit më të fuqishëm në Greqi.

Marrja e drejtimit të partisë nga Kasselakis vjen pas humbjes së dyfishtë të Syriza në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Maj dhe Qershor. Ish-kryeministri Aleksis Tsipras, që drejtoi vendin gjatë reformave të vështira ekonomike, nga viti 2015 deri në vitin 2019, mbajti një qëndrim “neutral”, duke refuzuar të mbështeste ndonjërin prej kandidatëve pas fitores surprizuese të Kasselakis në raundin e parë javën e kaluar.

Greko-amerikani ka sinjalizuar se do të zbatojë ndryshime rrënjësore në Syriza, një aleancë progresive që përfshin marksistët, eurokomunistët dhe socialdemokratët. Ai ka deklaruar se nëse partia dëshiron të shijojë sërish pushtetin, duhet “thjesht të kopjojë formulën e SHBA-së sa më shpejt të jetë e mundur” duke u shndërruar në një parti demokratike të stilit amerikan.

Ndër prioritetet e politikave të propozuara nga biznesmeni janë lehtësimi drastik i taksave për punonjësit e sektorit privat dhe publik, ndarja e kishës nga shteti, reformat në drejtësi, shtetësia për fëmijët emigrantë të lindur dhe rritur në Greqi dhe legalizimi i martesave të të njëjtit seks.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share