Kemi dorëzuar publikisht kërkesë në Ligjin e ri për marrëdhëniet e punës që paga të paguhet deri në datën e pestë të muajit, tha në konferencën e sotme për media, kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë, Marjan Risteski.
Ai shtoi se Sindikata do të kërkojë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen, e nëse kjo nuk ndodh, ka paralajmëruar protesta.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur, Lazo Kostovski, theksoi se çdo ditë ikin nga shëndetësia dhe se punësohen kuadro joadekuate që “nuk janë për këtë”.
“Vetë zyrtarët, para se të marrin detyrën, premtojnë çdo gjë dhe gjithçka. Punonjësit e shëndetësisë tashmë janë të margjinalizuar, nuk dinë çfarë të bëjnë. Jo vetëm me rrogat, por edhe me punën që kanë.
Kur shohim se deputeti merr gjashtëdhjetë mijë denarë në muaj për shpenzimet e udhëtimit, ndërsa mjekët marrin pagën gjashtëdhjetë mijë denarë. Me çfarë të drejte atëherë na kërkojnë ne qytetarëve të kursejmë, ndërsa të tjerëve në Parlament, në Qeveri askush nuk kursen asgjë? Duke dalë në rrugë, me protesta, të realizojmë të drejtat tona. Nuk shoh rrugë tjetër”, shtoi Kostovski.