Simona Halep doli pozitive me doping, pezullohet 4 vite nga sporti

Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF) ka pezulluar me 4 vite tenisten rumune Simona Halep, ish-numrin 1 në botë për femra. Ajo doli pozitive me doping një vit më parë dhe me gjithë betejën ligjore që zgjati gait një vit, ajo mori një dënim të rëndë. Halep është fituese e dy grand slam në karrierë.

Dënimi nis nga 7 tetori 2022 deri më 7 tetor 2026, por në moshën 32-vjeçare karriera e Halep mund të konsiderohet e mbyllur. Tenistja u pezullua për përdorim të substancave të ndaluara, Roxadustat, i gjetur në një test rutinë në urinë, në shtator të vitit të kaluar, në turin e parë të US Open 2022.

Gjykata e pavarur ka dëgjuar mjaft ekspertë për këtë çështje, si nga pala akuzuese ashtu dhe nga Halep, por kjo s’mjaftoi për ta nxjerrë tenisten të pafajshme. Më 11 shtator, gjykata dha vendimin e saj, duke e vlerësuar tenisten fajtore për shkelje të rregullave antidoping.

Konfirmohet se substanca e ndaluar e gjetur në urinën e tenistes është marrë vullnetarisht nga tenistja. Gjykata pranoi shfajësimin e Halep se kishte marrë substancë nga një përbërës i kontaminuar, por sasia ishte tepër e lartë. Halep u shpreh se do ta apelojë vendimin për 4 vite pezullim, ndër më të lartët në tenis.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share