Silvinjo: Nënshtetësi shqiptare? Me zemër jam një shqiptar

Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e fundit në këtë edicion kualifikues ndaj Ishujve Faroe.

Trajneri Silvinjo u shpreh se ka mbetur edhe një objektiv tjetër për t’u arritur, vendi i parë në Grupin E.

Tekniku i Kombëtares shqiptare mes tjerash ka folur edhe për lojëtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Evropian.

“Duket sikur ka shumë kohë, por nuk ka. Vetëm sot e nesër do të jemi me lojtarët dhe pastaj ‘ndahemi’ për t’u ribashkuar në muajin mars dhe sigurisht që gjatë kësaj periudhe do t’i vizitojmë lojtarët në klubet e tyre në muajt e ardhshëm. Do të takohemi sepse kjo është pjesë e punës tonë. Por jo vetëm këta lojtarë, por edhe futbollistë të tjerë, pasi kemi rreth 50 të tillë që po i monitorojmë. Por, përpara kësaj, nesër kemi një finale për t’u luajtur, që mund të na çojë në vendin e parë në grup dhe që do të ishte një arritje shumë e madhe. Më pas do të mendojmë për këtë. Ka shumë lojtarë, jo vetëm Broja e Kumbulla, por edhe shumë lojtarë të tjerë që mund të jenë të vlefshëm që ne i kemi monitoruar vazhdimisht. Është gjë e mirë për trajnerin kur ka shumë zgjedhje dhe lojtarë të mirë, ashtu sikurse është e vështirë sepse duhen bërë zgjedhje. Por kjo është pjesë e punës tonë”.

“Nuk shqetësohem për të evituar ndonjë kundërshtar, nuk mendoj që duhet të arrijmë vendin e parë në grup për të qenë në vazon e parë të shortit. Ne arritëm kualifikimin kur na mbetet edhe një ndeshje për t’u luajtur dhe kjo është diçka fantastike. Kemi 7 ndeshje që nuk jemi mundur, jemi mbrojtja e katërt më e mirë në këtë edicion, kemi pësuar më pak gola. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe nuk mendoj shumë për rivalët që mund të kemi në short”, ka theksuar Silvinjo për Federatën Shqiptare të Futbollit.

A do të jetë ky grupi i Europianit?

“Nuk dihet se ç’mund të ndodhë në 6 muaj. Kemi shumë gjëra për të vlerësuar. Ne kemi bërë një rrugëtim shumë të rëndësishëm me këtë grup lojtarësh deri tani. Kemi bërë një punë fantastike. Puna e trajnerit është e vështirë sepse duhet të zgjedhë dhe mund të ketë edhe dëmtime e mungesa vazhdimisht dhe është i detyruar që të ndryshojë. Këta lojtarë e meritojnë dhe mund të themi se 70% janë këta pjesë e grupit që e meritojnë të jenë me ne në Europian”.

Nënshtetësi shqiptare?

“Me zemër jam një shqiptar. Rrugëtimi i Kombëtares shqiptare ka qenë fantastik dhe tani ia dolëm që të jemi sërish në finalet e Europianit. Është një ëndërr e madhe që realizohet dhe një nder për mua dhe ndihem mirë që punoj këtu”, përfundoi Silvinjo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share