Si ndërtuan djemtë e El Chapo një perandori droge

Zyrtarët amerikanë të sigurisë thonë se ata po helmojnë shoqërinë amerikane me fentanil

Në Janar 2017, disa ditë pasi Meksika ekstradoi trafikantin famëkeq të drogës Joaquin Guzman i njohur ndryshe si “El Chapo” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, policët në vendin e tij të lindjes, Sinaloa, u sulmuan. Disa u qëlluan për vdekje në mes të ditës. Të tjerët u zhdukën dhe nuk u gjetën kurrë. Në total, 13 oficerë policie u ekzekutuan ose u zhdukën në muajt në vijim.

Këto ngjarje ishin fillimi i një ere ndryshimesh brenda perandorisë së Guzman-it, që sipas zyrtarëve të inteligjencës dhe sigurisë, sinjalizoi më pas ardhjen e një force të re brenda një prej karteleve më të fuqishme të drogës në Meksikë.

4 djemtë e tij të njohur si Los Chapitos ironizoheshin dikur nga kundërshtarët e tyre se ata më shumë shqetësoheshin për të shfaqur luksin dhe pasurinë e tyre në rrjetet sociale sesa për punën e vështirë të menaxhimit të tonelatave kokainë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edgar, Iván, Jesús Alfredo, Joaquín Jr. dhe Ovidio u rritën në një luks dikur të paimagjinueshëm për babain e tyre, një punëtor ferme në malet e Sinaloas.

Të famshëm në rrjetet sociale, ata shpesh reklamonin makinat e tyre të shtrenjta në Instagram dhe Twitter. Këto llogari nuk u verifikuan kurrë nga ato platforma, por një analist i mediave sociale thotë për Reuters se llogaritë ishin autentike.

Pavarësisht skeptikëve, ata mundën të ringjallnin një perandori droge që u ringrit sërish pasi babai i tyre u mbyll pas hekurave në SHBA dhe e zgjeruan biznesin e tyre me një linjë të re drogash sintetike. Dhe bëhet fjalë pikërisht për fentanilin, që është një lëndë narkotike 50 herë më e fortë se heroina.

Muajin e kaluar, autoritetet amerikane ngritën akuza të reja të kundër vëllezërve në paditë e ngritura dhe rritën shpërblimet për të kapur disa nga bosët e drogës më të fuqishëm dhe më të kërkuar në botë. Zyrtarët amerikanë i portretizuan ata si fytyrën e një helmi që po vret rreth 200 amerikanë çdo ditë.

Anne Milgram, shefja e DEA-s: Chapitos ishin pionierët e prodhimit dhe trafikimit të drogës më vdekjeprurëse me të cilën është përballur ndonjëherë vendi ynë. Ata trashëguan një perandori globale të drogës dhe e bënë atë më të pamëshirshme, më të dhunshme dhe më vdekjeprurëse.

Të martën, Thesari i SHBA sanksionoi një nga vëllezërit, Joaquín Jr., për rolin e tij në rrjetin e fentanilit ‘Los Chapitos’, duke pretenduar se ai është i përfshirë në menaxhimin e “super laboratorëve”.

Los Chapitos, për herë të parë ndonjëherë, reaguan përmes një letre publike javën e kaluar duke mohuar pretendimet se trafikojnë fentanil dhe hodhën poshtë akuzat e bëra nga zyrtarët amerikanë në konferencën për shtyp në Uashington.

“Ne kurrë nuk kemi prodhuar, prodhuar apo tregtuar fentanil ose ndonjë prej derivateve të tij. Ne jemi viktima të persekutimit dhe ata na bënë kokë turku”, thanë vëllezërit në letër.

Kanali i lajmeve Milenio i Meksikës transmetoi përmbajtjen e kësaj letre më 3 Maj, së bashku me një intervistë të avokatit të familjes Guzmán, José Refugio Rodríguez.

Duke mohuar se ata drejtojnë kartelin Sinaloa, vëllezërit thanë se trafikantët e drogës dhe media kanë shfrytëzuar famën e babait të tyre për t’i implikuar ata në krime për të cilat ata janë të pafajshëm.

El Chapo po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado. Mariel Colón Miro, avokatja e Guzman me bazë në SHBA, tha se klienti i saj nuk ishte në gjendje të komentonte për shkak të kufizimeve që e ndalonin atë të fliste në media.

Katër vëllezërit, dy të lindur nga gruaja e parë e El Chapo-s, të tjerët nga një tjetër, janë të moshës nga 33 deri në 40 vjeç, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Të kryesuar nga Ivani, djali më i madh i El Chapo-s, vëllezërit e motrat janë shfaqur si figura kyçe në kartelin Sinaloa, thanë zyrtarët amerikanë dhe meksikanë. Guzmáns janë shtylla e organizatës, dhe Los Chapitos e kanë konsoliduar shpejt pushtetin brenda saj.

Për të treguar ngritjen e këtij brezi të ri të “Narco Juniors”, siç njihen fëmijët e trafikantëve të njohur në Meksikë, gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters vizituan një shtëpi ku anëtarët e bandës grumbullonin pilula të mbushura me metamfetaminë.

Mike Vigil, ish-shefi i DEA-s: Chapitos njiheshin si narko juniorë: fëmijët e llastuar të bosëve të mëdhenj të drogës. Chapo Guzman, i cili vinte nga varfëria e tmerrshme, nuk donte që djemtë e tij të rriteshin në atë lloj mjedisi, kështu që ai i llastoi ata.

Agjencia e lajmeve intervistoi gjithashtu dhjetëra njerëz, duke përfshirë zyrtarë të zbatimit të ligjit, inteligjencës dhe qeverisë në Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe banorë lokalë që kanë qenë dëshmitarë të rolit të këtij karteli.

Ngritja e shpejtë e Los Chapitos, shumë detaje për të cilat tregohen këtu për herë të parë, tregon se si autoritetet mund të kenë nënvlerësuar djemtë e EL Chapos.

Një përballje e vitit 2019 me Ushtrinë e Meksikës në Culiacán, kryeqendra e Sinaloas e izoloi këtë zonë nga pjesa e tjetër e vendit dhe e bëri të varur nga droga.

Ushtarët kapën Ovidion, më të voglin nga katër vëllezërit, më pas e liruan shpejt me urdhër të presidentit meksikan Andrés Manuel López Obrador pasi anëtarët e kartelit luftuan me trupat pro shtetit ku në një shkëmbim zjarri lanë 14 të vrarë, duke përfshirë dhe disa qytetarë.

Brenda kartelit, vëllezërit kanë luftuar me më të mëdhenjtë që kundërshtonin marrjen e ‘mantelit’ të babait të tyre prej tyre, duke përfshirë ish-krahun e djathtë të El Chapo, Dámaso López.

Por me ‘armët’ që zotërojnë, ata kanë ndërtuar gjithashtu një reputacion si biznesmenë mjaft të aftë. Ata kanë ndihmuar në transformimin e Meksikës nga një vend tranziti për fentanilin e prodhuar në Kinë në një qendër të madhe prodhimi. Për ta bërë këtë, Los Chapitos ndërtuan një rrjet laboratorësh klandestine në të gjithë Sinaloa dhe rritën kontrabandën e kimikateve nga Kina.

Fitimet kanë qenë mjaft të larta. Karteli mund të kthejë kimikate me vlerë 800 Dollarë në pilula ose pluhur fentanil që korrin fitime deri në 640,000 Dollarë.

Këto para, thonë prokurorët amerikanë, kanë financuar armatimin dhe financat e përdorura nga vëllezërit për të korruptuar politikanët dhe policët si dhe për të financuar një ushtri gjithnjë në rritje të vrasësve që mbrojnë interesat e tyre.

Ndikimi në rrugët e SHBA ka qenë shkatërrues. Një amerikan vdes nga një mbidozë me fentanil pothuajse çdo tetë minuta, tha zëvendësprokurorja e përgjithshme e SHBA Lisa O. Monaco në konferencën për shtyp në Uashington. Vdekjet nga mbidoza në SHBA u rritën në gati 107,000 në 2021.

Ngjitja e Los Chapitos, thonë zyrtarët amerikanë dhe meksikanë, ka përkuar me një vendim të López Obrador për t’u larguar nga politikat agresive kundër narkotikëve.

Pas marrjes së detyrës në Dhjetor 2018, López Obrador ristrukturoi forcat e sigurisë së Meksikës, duke eliminuar ekipet që dikur ishin në ballë të hetimit të aktivitetit të kartelit.

Ata thonë se presidenti gjithashtu frenoi bashkëpunimin e sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe në masë të madhe shmangu të ashtuquajturën strategji kryesore që bëri që administratat e mëparshme të arrestonin El Chapon dhe trafikantë të tjerë të profilit të lartë.

Në vend të kësaj, presidenti është zotuar të përqendrohet në programet sociale për të trajtuar krimin dhe dhunën në nivel bazë, një politikë e quajtur “abrazos, sin balazos” (përqafime, pa plumba).

Ai e ka reklamuar vazhdimisht strategjinë e tij në vizitat e shumta në Sinaloa.

López Obrador, President i Meksikës: Nuk mund ta shuash zjarrin me zjarr. Ky është ndryshimi midis kësaj strategjie dhe asaj që kanë bërë qeveritë e mëparshme. Ne nuk duam vdekje, nuk duam luftë.

Mbështetësit e tij vërejnë se vrasjet në mbarë vendin janë stabilizuar që kur ai mori pushtetin.Kritikët e presidentit thonë se numri i vrasjeve, mbi 30,000 në vit, është ende jashtëzakonisht i lartë dhe prodhimi dhe kontrabanda e drogës në Shtetet e Bashkuara janë rritur.

Ushtria e Meksikës përfundimisht e kapi Ovidio Guzman në fillim të këtij viti duke dërguar qindra trupa për të bastisur një nga shtëpitë e tij në zonat rurale në Sinaloa. Por ky arrestim kishte të bënte më shumë me përpjekjet e ushtrisë për të rikthyer prestigjin e saj të dëmtuar dhe jo një ndryshim në të menduarit e López Obrador

Marrëdhëniet e sigurisë SHBA-Meksikë janë prishur. López Obrador i quajti paditë e fundit të SHBA kundër katër Guzmanëve të rinj një “ndërhyrje abuzive, arrogante që nuk duhet pranuar në asnjë rrethanë”. Udhëheqësi meksikan tha se rasti u ndërtua nga agjentë të DEA-s që vepronin në Meksikë, gjë që ai e konsideroi shkelje të sovranitetit.

“Një ndërhyrje abuzive, arrogante që nuk duhet pranuar në asnjë rrethanë”.

Operacionet e DEA-s, Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës janë penguar. Meksika në 2021 shpërndau një njësi policore elitare që bashkëpunoi ngushtë me DEA-n për një çerek shekulli dhe amendoi një ligj të sigurisë kombëtare për ta bërë më të vështirë për agjentët e huaj të veprojnë brenda Meksikës.

Këto masa u konsideruan gjerësisht si hakmarrje për arrestimin në vitin 2020 të ish-ministrit meksikan të Mbrojtjes Salvador Cienfuegos në Los Anxhelos me akuza për trafik droge, një veprim që zemëroi López Obrador. Prokurorët amerikanë më vonë tërhoqën akuzat.

Një nga paditë e SHBA-ve të zbuluara muajin e kaluar detajon dhunën tjetër të frikshme që dyshohet se është kryer nga Los Chapitos. Njerëzit e tyre dyshohet se kanë rrëmbyer dy zyrtarë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm federal në fillim të vitit 2017, si dhe njërin prej tyre kanë torturuar, shqyer dhe më pas i kanë vendosur speca djegës në plagët dhe hundën e çarë.

Ivan më pas i vrau të dy me të shtëna me armë zjarri. Ivan dhe Jesús Alfredo vranë gjithashtu disa armiq duke i hedhur të gjallë tek tigrat që mbanin në fermat e tyre.

“Chapitos duhet të ruajnë reputacionin e tyre, kështu që ata janë shumë më të dhunshëm se sa ishte babai i tyre, sepse ata duhet t’u tregojnë anëtarëve të tjerë të kartelit se kanë reputacion ku nëse do t’u duhet do të ndërmarrin veprime të dhunshme. Ata nuk do të jenë, të dobët dhe thjesht t’ua lënë gjërave rastësisë”.

Vëllezërit, në letrën e tyre publike, mohuan vrasjen ose torturimin e zyrtarëve ose përdorimin e njerëzve si ushqim për tigrat.

“Një tigër mund të vrasë një person, por ta hajë atë? Ne nuk kemi dhe nuk kemi pasur tigra”, thuhej në letër.

Los Chapitos mbizotëruan e fituan në luftën e tyre me López, i cili u arrestua në Mexico City në 2017 nga ushtria meksikane dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Ai u bë dëshmitar në gjyqin e El Chapos në 2019, duke bërë që t’i reduktohej dënimi i tij me burg të përjetshëm për trafik droge. Në vitin 2021, emri i tij u zhduk nga regjistri publik i të burgosurve të Byrosë Federale të Burgjeve, duke nxitur spekulimet e mediave se ai hyri në listën e dëshmitarëve të mbrojtur.

Ndërkohë, në terrenin e tyre në Culiacán, vëllezërit forcuan shpejt kontrollin e tyre në tregun lokal të drogës. Los Chapitos e bëri të qartë se “tani tregu u përket atyre,”

Marrëdhënia e kartelit është komplekse. El Chapo kishte reputacionin famëkeq ndaj atyre që e cënonin atë. Por vendasit thonë se ky kartel ofroi vende pune ndihma dhe siguri duke ndëshkuar robërit që grabitnin komunitetet e varfra.

Ata u përpoqën të ndryshonin imazhin e tyre publik. Në dhjetor 2020 në San Diego, një fshat rreth 60 kilometra në jug të Culiacán që është shtëpia e disa karteleve të drogës Los Chapitos organizuan një koncert muzikor dhe lotarie, çmimet e të cilit përfshinin makina të reja, lavatriçe dhe frigoriferë, të gjitha me afishe të vendosura me inicialet e El Chapo – JGL.

Gjatë bllokimeve të COVID-19, vëllezërit shpërndanë pako ushqimore dhe ndërtuan një shkollë në natyrë në Sinaloan rurale.]

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share