Këshilli ekzekutiv dhe Këshilli qendror i LSDM-së nesër do të mbajnë mbledhje, konfirmojnë për MIA-n nga kjo parti.
Pritet që kryetari i LSDM-së, njëherësh kryeministër, Dimitar Kovaçevski të prezantojë epilogun e bisedimeve me Aleancën për Shqiptarët për bashkëngjitje eventuale në koalicionin qeverisës si dhe ofertën deri te partneri aktual i koalicionit, Alternativa me liderin e së cilës Afrim Gashi ka mbajtur sot takim.
Nga Alternativa nuk zbulojnë detaje mbi epilogun e bisedimeve mes Kovaçevskit dhe Gashit dhe paralajmërojnë se vendim për veprimin e mëtejshëm, hëpërhë organet e tyre partiake do të sjellin pasi të formalizohet koalicioni i ri.
Nga ASH paraprakisht për MIA-n informuan se është arritur marrëveshje për hyrjen e tyre në koalicionin qeveritar, konform së cilës partia në qeverinë e ardhshme do të ketë tre anëtarë, edhe atë ministra të Drejtësisë dhe Shëndetësisë, derisa për pozitën e tretë në lojë janë pozita e zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështje ekonomike ose njeri i parë në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë.
Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, theksuan se bisedimet rreth shumicës së re parlamentare janë në rrjedhë dhe asgjë nuk është përfundimtare, por sa po të ketë diçka në interes të opinionit do të informojnë zyrtarisht.
Sipas burimeve në Aleancën për Shqiptarët, partia do të ketë edhe zëvendësministra për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave dhe Mbrojtje, si dhe dy sekretarë shtetëror, njëri prej të cilëve në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa tjetri do të definohet në mënyrë plotësuese.
Ndër vendet e drejtorive që do të marrë Aleanca për Shqiptarët janë “Posta e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, MEPSO, Inspektorati shtetëror arsimor dhe Agjencia për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, si dhe zëvendësdrejtorë në Drejtorinë e doganave, Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP) dhe EMV.
Përveç me Alternativën, para shpalljes së marrëveshjes përfundimtare për zgjerimin e shumicës qeveritare, siç bëjnë të ditur burime partiake, Kovaçevski do të mbajë takim edhe me partnerët tjerë të koalicionit ku do t’i informojë për atë që është dakorduar rreth hyrjes së ASH-së në Qeveri.
Sipas paralajmërimeve, pas takimit me partnerët aktualë të koalicionit kryeministri Kovaçevski duhet të ketë takim edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari me qëllim për të saktësuar përfundimisht resorët me të cilët do të menaxhojë kjo parti si partner i qeveritar.