Shtrembërimi i realitetit helmon të vërtetën

XHARRA: LAJMET E RREJSHME PO I BESOJNË 50% E NJERËZVE

Lajmet e rreme po bëhen gjithnjë edhe më sfiduese për mediat por edhe për qytetarët. Gazetarja Elida Zylbeari thotë se ky fenomen minon besimin e publikut ndaj mediave. Ajo shton se dezinformatat në vendin tonë kanë burime lokale, siç janë edhe vetë partitë politike, por edhe të huaja, kryesisht të prodhuara nga Rusia.

“Në luftën kundër dezinformatave, sukses akut apo sukses i menjëhershëm është verifikimi i fakteve të cilat gazetarët parimisht duhet ta bëjnë. Pra, ti respektojnë standardet e gazetarisë dhe ti respektojnë të dhënat të cilat ata i shpërndajnë… Në strategji afatgjate natyrisht që arsimimi mediatik dhe edukimi mediatik do të ishte një lloj shpëtimi nga dezinformatat, që njerëzit vetë të krijojnë një mendim kritik dhe që mos tu besojnë dezinformatave që shpërndahen”, tha Elida Zylbeari.

Vendet e rajonit kanë bërë hulumtime rreth dezinformatave. Gazetarja Jeta Xharra thekson se, hulumtimi gjashtë mujor me titull “Historia e gënjeshtrave tona”, ka zbuluar se propaganda ruse dhe ajo kuneze kanë ndikim të madh në Kosovë. Pjesë e hulumtimit kanë qenë mësues, mjekë, gjykatës, prokurorë, punonjës social etj.

“Në Kosovë kryesisht janë lajmet e rreme. Narrativat më të mëdha kanë për qëllim të armiqësojnë komunitetin Shqiptarë me komunitetin Serb. Kanë për qëllim që narrativat, frikat e njerëzve ti tensionojnë edhe më shumë. Të rrisin psikozë të tillë që kryesisht për shembull njëra ndër narrativat kryesore të propagandës Ruse është që Shqipëtarët duan të zbrazin Kosovën prej serbëve. Narativa tjetër është që NATO dhe perëndimi po i përkrahë vetëm Serbët.”, tha Jeta Xharra.

Gazetarja Klodiana Kapo thotë se edhe në Shqipëri lajmet e rreme janë një ndër sfidat më të mëdha në gazetari.

“Problemi më i madh i vendeve tona jo vetëm në Ballkan por edhe në botë janë lajmet gjysmë të vërteta. Janë ato të cilat kanë helmuar të vërtetën dhe kjo lidhet me median, lidhet me integritetin e gazetarit dhe me dëshirën ose me forcën që ne të kemi një lajm të vërtetë në një media që është e pavarur dhe që ta jep të drejtën”, tha Klodiana Kapo.

Ekspertët thonë se edukimi mediatik është njëri nga mjetet me të cilin mund të kontribuohet që të rinjtë të jenë sa më pak viktimë e lajmeve të rreme./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share