Heroi i Kombit, Fahri Fazliu është rikthyer i bronztë në qytetin e Obiliqit. Në sheshin që do ta mbajë emrin e tij është zbuluar shtatorja e heroit, në Ditën e Dëshmorëve 5 Majin.
Të pranishëm ishin bashkëluftëtarë e figura të larta politike në vend e rajon, të cilët nderuan lartë jetën dhe veprën e heroit, Fahri Fazliu.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se Fahri Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për të gjitha.
Ai shtoi se heroi qysh i ri në moshën 19 vjeçare u bë pjesë e Lëvizjes Popullore për çlirimin e vendit.
“Zbulimi i shtatores nuk po ndodh rastësisht sot më 5 Maj sepse kontributi i tij ishte i madh. Së bashku me të tjerët ishim rreshtuar krah tij dhe Lëvizjes Popullore, ku si një i ri 19 vjeçar u bashkova në Lëvizjen Popullore, që Fazliu ishte trim e burrë i fortë, dhe mbetet një frymëzim për mua, por edhe për shokët tanë”, tha Gashi.
“Fahriu e Bahria ranë për këtë liri, me fjalimin e tyre se çlirimi i Kosovës është vet jeta. Jeta dhe vepra e dëshmorëve është dëshmi e gjallë se rruga ishte e gjatë për liro e pavarësi. Për Obiliqin veprimtaria e Fahriut nuk është e panjohur sepse shumë nga ta e shtrinë patriotizmin edhe në Obiliq. Fahri Fazliu po rikthehet sërish i bronztë në Obiliq”, tha tutje Gashi.
E iniciatori i kësaj shtatoreje, Arben Krasniqi, tha se nga qytetarët do ta nderojnë kolosin e tyre.
“Nuk është rastësi që sot më 5 maj, qytetarët e Obiliqit ta nderojnë kolosin dhe heroin tonë, Fahri Fazliu. Përkushtimi i qytetarëve tanë dhe përkushtimi i nivelit lokal, bëri që shtatorja të vendoset sot këtu”.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se qyteti i Obiliqit po pasurohet edhe më shumë me vendosjen e shtatores së Fahri Fazliut.
Sipas Ahmetit, me këtë shtatore, po nderohet historia e pashlyeshme e shqiptarëve.
“Shkëlqimin Fahri Fazliut ia jep edhe më shumë sepse kjo shtatore që po ngritet nga institucionet që dha jetën e gjakun. Andaj nuk i them faleminderit dikujt që punon në shtëpi të tij por puna e mbarë. Po e pasuroni Obiliqin me këtë shtatore. Në vitin 99 organizata që i takonte Lëvizja Popullore ka pasur koordinimin edhe për demonstratat nga populli në Kosovë”.
“Nga aty janë koordinuar të gjitha veprimtaritë, edhe në minierën e Trepçës, ku Fahriu e Bahriu janë aktorë të stadit deri në rezistencë. Marrja e drejtimit drejt themelimit të njësive të para të UÇK. Prandaj ju sot po nderoni një histori të pashlyeshme të shqiptarëve me ngritjen e kësaj shtatore”, tha Ahmeti.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekim Jashari, kërkoi më shumë unitet në rrugën që tha se ka shumë sfida.
Jashari tha se Fahriu ishte pjesëmarrës që nga protestat e vitit 1981 e deri në rënien e tij, raporton EO.
“Jam i nderuar që sot gjendem këtu në zbulimin e kësaj shtatore të heroit, Fahri Fazliu. Në këtë shtatore të heroit nderohet jeta dhe vepra e heroit, Fahri Fazliu, i cili që nga protestat e vitit 81 e deri në rënien e tij, nuk u ndalen duke i shërbyer kauzës sonë për liri”.
“Andaj nderimi dhe respektimi për ta duhet të jetë i përhershëm dhe maksimal. Neve na mbetet që ta vazhdojmë rrugën dhe amanetin duke qenë të bashkuar në rrugë që është më shumë sfida, duke e pasur amanet”, tha Jashari.