Shqipëria nuk zhgënjen, fiton 2-0 ndaj Bullgarisë

 

Një tjetër fitore e kombëtares shqiptare. Miqësorja ndaj Bullgarisë u mbyll me rezultatin 2 me 0 për kuqezinjtë me golat e Laçit dhe Muçit. Ndeshja, që u transmetua në Tv Klan nën komentin e Alban Xhihanit dhe Andi Lilës, ishte përgjithësisht në kontrollin e Shqipërisë që ruan lart moralin. Trajneri Sylvinho e pati përgatitur këtë ndeshje në maksimum dhe lojtarët nuk zhgënjyen duke shënuar dhe duke mos pësuar. Debutim edhe për Marvin Çunin. Tashmë sytë drejt Nëntorit për sfidat ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe për të siguruar kualifikimin në Euro 2024. Këto ndeshje do t’i ndiqni si gjithnjë në Tv Klan.


FORMACIONET:

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ajeti (Veseli), Mihaj, Mitaj, Asllani (Ramadani), Laçi (Gjasula), Bajrami (Muja), Muçi, Asani (Çuni), Uzuni

BULLGARIA: Mitov, Alex Petkov, Antov, Petrov, Marin Petkov (Galchev), Lukas Petkov (Ivanov), Gruev (Kraev), Turitsov (Popov), Despodov, Rusev (Ivanov), Delev (Minchev)

ARBITËR: Mervan Bejtullahu (Kosova)

STADIUMI: Air Albania, Tiranë


NDESHJA MINUTË PAS MINUTE

94′ – Mbyllet sfida! Shqipëria fiton 2-0 përballë Bullgarisë.

91’ – Sulmuesi bullgari u gjet i vetëm përballë Strakoshës, por nuk përfitoi dot të shënonte.

90 ‘ – 4 minuta shtesë

89’ – Largohet nga fusha e lojës Kristjan Asllani. Futet Ramadani.

85’ – Zëvendësim për Bullgarinë. Largohet Gruev, futet Kraev.

85’ – Kundërsulm i Shqipërisë pas një kombinimi të bukur. Muja tenton goditjen, por bllokohet. Goditje këndi për Shqipërinë.

80’ – Gooooool! Ernest Muçi shënon një super gol! 2-0 rezultati për Shqipërinë.

79’ – Rrezikshëm Shqipëria. Topi i Mujës shkon në krahun tjetër. Uzuni nuk përfiton që të japë një kros.

77’ – Largohet Lukas Petkov, në fushë futet Ivanov.

70’ – Bullgarët tentojnë të jenë më të rrezikshëm, por Shqipëria mbyll mirë në mbrojtje.

64’ – Largohet Marin Petkov. Në fushën e lojës Galchev.

60’ – Largohet nga fusha e lojës autori i golit Qazim Laçi. Futet në fushën e lojës, Klaus Gjasula.

59’- Laçi humb një top në një zonë të rrezikshme, por e rifiton sërish. Duartrokitje nga tifozët.

57’ – Lukas Petkov tenton goditjen. Bllokon Veseli.

53’ – Debuton edhe Marvin Çuni. Largohet Asani.

53’ – Mundësi e artë për Bullgarinë, por nuk përfiton Ivanov pas një humbje vigjilence nga kombëtarja shqiptare.

49’ – Tension mes Asanit dhe Petkov. Të dy futbollistët marrin nga një karton të verdhë.

49’ – Lukas Petkov godet fort nga jashtë zone. Topi lart kuadratit të portës.

45’ – Nis pjesa e dytë. Topin e parë e luajnë kuqezinjtë. Pjesa e dytë nisi me dy ndryshime në kombëtaren shqiptare. Veseli zëvendëson Ajetin. Zëvendësim edhe për Bajramin, futet në fushën e lojës Muja. Ndryshime edhe për Bullgarinë. Turitsov largohet për Popov. Vetëm 45 minuta edhe për Rusev. Futet në fushën e lojës Ivanov.

Përfundon me rezultatin 1-0 pjesa e parë e miqësores Shqipëri-Bullgari. Goli u shënua nga mesfushori Qazim Laçi. Ndeshje përgjithësisht nën kontrollin e kuqezinjve të cilët qarkulluan më shumë topin, por edhe e kërkuan më shumë golin.

48′ – Përfundon pjesa e parë Shqipëri-Bullgari.

45’ – 3 minuta shtesë.

41’ – Gooooool! Shënon Qazim Laçi! Shqipëria në avantazh ndaj Bullgarisë. Ishte një aksion shumë i bukur i kuqezinjve. Mitaj futi një top të bukur për Uzunin. Ky i fundit dha një top për Asanin në shtyllën e dytë. Goditja e sulmuesit u bllokua nga mbrojtësi, por i vëmendshëm Laçi që gjeti topin dhe e goditi në rrjetë.

36’ – Delev lë fushën e lojës me barelë. Shkak u bë ndërhyrja me Ajetin. Futet në fushën e lojës Martin Minchev.

32’ –  Moment i mirë për kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë fitojnë topin pas një gabimi të portierit Mitov. Fillimisht kërkoi goditjen Laçi që u bllokua nga mbrojtësit. Por topi shkoi në këmbët e Ernest Muçit. Ky i fundit goditi drejt portës, por i gatshëm aty portieri bullgar.

29’ – Qarkullojnë topin kuqezinjtë. Gjithçka në barazim deri më tani.

23’ – Ivan Balliu merr bukur krahun. Fut një top në zonë, por asnjë prej lojtarëve të tjerë nuk gjendet aty dhe nuk përfitojnë nga ky rast i mirë.

21’ – Despodov godet fort nga e majta. Në pozicionin e duhur Strakosha.

17’ – Shqipëria fiton një tjetër goditje këndi, e katërta deri më tani, por nuk shfrytëzohet si duhet.

16’ – Top shumë i bukur i Mario Mitajt për Nedim Bajramin. Ky i fundit fiton me zgjuarsi një goditje këndi.

13’ – Luftohet fort në gjysmëfushën e Bullgarisë. Shqipëria e qarkullon mirë topin. Asani fiton një faull që mund të kthehet një goditje e rrezikshme në favorin tonë. Goditja e Asanit largohet nga lojtarët bullgarë. Megjithatë arbitri anësor sinjalizon pozicion jashtë loje.

8’ – Ajeti godet me kokë një kros nga goditja e këndit, por i gatshëm portieri bullgar.

5’ – Të qetë shfaqen lojtarët e kombëtares. Ata mbajnë kontrollin e topit dhe përpiqen të gjejnë të papërgatitur kundërshtarët.

0′ – Nis miqësorja Shqipëri-Bullgari.

REDAKSIA TVKLAN.AL

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share