Shqipëria i merr Kosovës Mujën dhe Dakun

Sulmuesit në urdhërat e teknikut Sylvinho për duelet e Shtatorit

Risi dhe të rikthyer në Kombëtaren Shqiptare për dy sfidat kualifikuese të Euro 2024 ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë. Në listën e publikuar nga trajneri Sylvinho prej 25 futbollistësh ata që bien në sy janë padyshim dyshja e sulmit, Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët ftohen për herë të parë në kombëtare. Pak ditë pasi u pajisen me pasaportë shqiptare, ish-dyshja e kombëtares së Kosovës të 21-vjeçarëve do kenë mundësi për të përfaqësuar tashmë ngjyrat kuqezi.

Në mesfushë ka ndërkohë dy rikthime të rëndësishme me Klaus Gjasulës dhe Odise Roshit që janë ftuar për dy sfidat e Shtatorit, ndërkohë që edhe në mbrojtje ka një tjetër emër që vjen pas një mungese, ai i Arlind Ajetit. Do të mungojë këtë herë mesfushori Armir Abrashi, teksa sa i përket pjesës tjetër të listës nuk ka ndryshime dhe konfirmohet grupi i lojtarëve, që ishte i impenjuar edhe në ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në Qershor.

Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet ditën e Hënë, me kuqezinjtë që do të grumbullohen në Tiranë dhe stërvitjet do të zhvillohen në Shtëpinë e Futbollit. Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe tre ditë më pas, më 10 Shtator, do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”, sfida që do të transmetohen falas në TV Klan. Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e dytë në grup me 6 pikë, një më pak se Çekia dhe e distancuar me 3 pikë nga Polonia e vendit të katërt.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share