Deputeti Bledion Nallbati tentoi ta grushtojë kolegun Vullnet Sinaj, teksa ky i fundit mori fjalën
Seanca e sotme plenare ka nisur me debate e përplasje fizike. Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolli mori fjalën, pati kundërshti në radhët e opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren duke kërkuar që Garda të dalë nga salla. Po ashtu janë rikthyer pas 10 ditësh në seancë 23 deputetë të PD-së.
17:03-17:08| Pjesë nga nisja e seancës parlamentare:
“A je në terezi?!”, i drejtohet Gazment Bardhi Nikollës.
“Shumë në terezi jam, mirë e ke krahun? Ju lutem kolegë deputetë zini vendet!”, u përgjigj Nikolla.
Në momentin që Vullnet Sinaj (nga pala mazhoritare) ka marrë fjalën nga vendi, deputetët e opozitës nuk e lejuan, debat që më pas u përshkallëzua deri në përplasje fizike. Ishte deputeti Bledion Nallbati ai i cili i mbylli mikrofonin Sinajt e më pas tentoi ta grushtojë.
Mësohet se Nallbati është përjashtuar nga seanca plenare. Kryetarja e Kuvendit kërkoi 5 minuta ndërprerje të seancës.
17:25 – “Turp, turp…” Tensione në Kuvend, deputetët demokratë pengojnë socialistët teksa flasin
Pas përplasjes fizike në parlament këtë të hënë, kryetarja e Kuvendit përjashtoi nga seanca deputetin demokrat, Bledion Nallbati. Ky i fundit i fiku mikrofonin deputetit socialist, Vullnet Sinaj dhe u përplas fizikisht me të.
Edhe pasi rinisi seanca sërish deputetët demokratë nuk i lanë ata socialistë që të flisnin.
Teksa deputetja Teuta Ramaj shprehte problematikat e evidentuar nga zgjedhësit e saj në Vlorë, deputetët Gazment Bardhi dhe Flamur Noka i kanë kërkuar që të ndalonte duke e penguar.
“Turp, turp. Nuk mund të mbrosh një kriminel”, shprehej Noka teksa fliste Ramaj.
Pas kësaj situate, kryeparlamentarja vendosi sërish 5 minuta pushim.
17:33 – Sherri në parlament, përjashtohet nga seanca deputeti Bledjon Nallbati
Deputeti Bledjon Nallbati është përjashtuar nga seanca plenare pas përlasjes fizike në seancën plenare.
Deputeti demokrat i fiku mikrofonin atij socialist, Vullnet Sinaj dhe tentoi ta grushtonte atë. U desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë dhe Gardës për të qetësuar situatën.
Pavarësisht se seanca rinisi, sërish pati tensione. Deputetët demokratë penguan ata socialistë që të flisnin. Seancën e sotme është parashikuar të diskutohet mbi çështjet e evidentuar nga zgjedhësit.
17:36- Noka nuk lejon deputeten të flasë, Berisha-mazhorancës: Beteja s’ka për të ndalur, këtu do jemi!
Teksa Flamur Noka nga radhët e PD-së nuk ka lejuar deputeten e PS-së të flasë, ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar të turpshme situatën e krijuar sot në Parlament.
“Këtu do jemi, beteja s’ka për të ndalur”, paralajmëroi kryedemokrati.
Berisha: Ky është parlamenti i Edi Ramës i cili funksionon për Gardën e jo si institucion për deputetët. Histori turpi, histori horrash! Asgjë s’do mund të kaloni, ta dini të qartë se beteja jonë s’ka për të ndalur. Këtu do jemi, këtu do jemi!
Ishin opozitarët ata të cilët që në nisje të seancës krijuan debate me palën tjetër politike, duke kërkuar në mënyrë ultimatumi që Garda të dalë nga salla./tvklan.al