Kreu i Kuvendit dhe Kryeministri përfitojnë 160 mijë Lekë më shumë
Ndryshe nga vendimi i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ai i Ekonomisë vendosi që të rrisë pagat për ministrat dhe deputetët së bashku me 130 mijë punonjësit e administratës shtetërore dhe 250 funksionarët e lartë.
Me ndryshimet e miratuara, paga e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit shkon në rreth 393 mijë Lekë, e ministrit në 318 mijë Lekë, ndërsa e deputetit në 310 mijë Lekë.
Në Komisionin Parlamentar nuk munguan as debatet se përse ata nuk ishin përfshirë nga qeveria në reformën e tanishme të pagave.
Edmond Spaho: Ka që në 2005-ën që paga e deputetit nuk indeksohet. Unë me këtë pagë e kam filluar dhe me këtë pagë po e “bejtis”.
Arbi Agalliu: Do të duhet të ruajmë hiearkinë, dinjitetin të çdo individi. Të nisë me Presidentin e Republikës, rritja siç është parashikuar në ligj, të shkojë tek kryeministri…
Dy projektligjet e miratuara në Komisionin e Ekonomisë, bashkë me propozimet e bëra, synojnë sipas Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj vendosjen e një hiearkie të drejtë të pagave në administratën publike.
Delina Ibrahimaj: Synojmë të bëjmë realitet një rritje pagash të pamenduar deri disa vite më pare duke çuar pagën mesatare në administratë publike 900 Euro në harkun kohor të një viti dhe synimi është që brenda këtij mandati qeverisës, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë Lekë.
Këto ndryshime ligjore prekin në mënyrë indirekte edhe pagat e të gjithë punonjësve të administratës publike qendore dhe asaj vendore. Në total përfitojnë 130 330 punonjës.
Kryeministri Rama ka premtuar se pagat e rritura do merren nga 1 Prilli. Dy projektligjet për pagat do të votohen në seancën parlamentare të së enjtes.
Tv Klan