Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua”, opozita nis sot zyrtarisht rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 14 Majit. Në orën 12:00 në stadiumin “Air Albania” kryedemokrati Sali Berisha dhe drejtuesi i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvillojnë mitingun hapës.
Në stadiumin ‘Air Albania’ po bëhen përgatitjet e fundit. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, ka mësuar se përveç simpatizantëve, të pranishëm do të jenë të 61 kandidatët për kryetarë bashkie dhe kandidatët e këshillave bashkiakë.
“Sipas axhendës fillimisht do të mbajnë fjalën disa prej eksponentëve të PD-së dhe disa prej kandidatëve për bashkitë kryesore të vendit, por edhe kandidatë të tjerë që duan të japin thirrjet e tyre sa i përket zgjedhjeve. Pritet që kjo hapje të kulmojë me fjalën e zotit Berisha, kryetarit të PD-së, i cili në fakt në ditët më përpara ka theksuar se fushata e koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të jetë një fushatë tradicionale, pas do të zhvillojë takime me qytetarë qoftë ne vende të mbyllura, apo mitingje të hapura”, u shpreh gazetari Xhangoli.
Kujtojmë se socialstët kanë vendosur të kenë një fushatë duke mbjellë pemë dhe jo me tubime të mëdha./tvklan.al