Këto janë momentet e terrorit të ushtruara nga grabitësit e bankës në Koplik më 9 Maj të këtij viti. Gazetari Besar Bajraktaraj ka siguruar pamjet nga brenda bankës të autorëve teksa kryejnë grabitjen.
Siç duket në foto njëri prej tyre ka mbajtur në fytyrë një maskë. Me anë të armës kallashnikov personi në fjalë ushtron presion mbi stafin e bankës. Një punonjës, siç duket në foto, është shtrirë në tokë.
Ndërkohë ditën e sotme, policia njoftoi se arriti të zbardhë këtë ngjarje të rëndë. Në pranga ranë 3 të rinj, Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj të Malësisë së Madhe.
Ata kanë përdorur 2 amë zjarri dhe një makinë “Golf 3” pa targa. Pasi kanë kryer grabitjen, këtë makinë ata e kanë djegur dhe nën kërcënimin e armëve kanë ndaluar në rrugë një makinë dhe kanë marrë me forcë automjetin. Pastaj u larguan në drejtim të fshatit Shegan dhe aty braktisën mjetin. Armët i hodhën në liqenin e Shkodrës, në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”.
Policia i gjeti Bekim Gurrajt në shtëpi, dy radio marrëse-dhënëse si të policisë, bluzë dhe kapele si të Policisë dhe disa veshje të përdorura nga ky person disa ditën para ngjarjes, kur ka studiuar ambientin e jashtëm të filialit.
Më 9 maj, këta tre persona hynë në bankën e Koplikut, duke grabitur në orët e mesditës shumat prej 10.000 euro, 1000 dollarë dhe rreth 400.000 lekë të reja./tvklan.al