Shpifi për shqiptarët, Maguire: Nuk pendohem për çfarë ndodhi në Mykonos, ndërgjegjen e kam të pastër

Harry Maguire, mbrojtësi i Manchester United, këmbëngul se e ka ndërgjegjen e pastër dhe se nuk pendohet pasi u arrestua në Mykonos të Greqisë në vitin 2020.

Kujtojmë se futbollisti anglez deklaroi fillimisht se u përfshi në sherr me një grup shqiptarësh, të cilët sipas tij, i sulmuan motrën. Ky version që në fillim kishte pikëpyetjet e saj. Dhe kështu u hodh poshtë nga prokurori i çështjes, i cili tha se “Maguire dhe shokët e tij trilluan një histori për shqiptarët që ngacmuan motrën e tij”.

Sipas prokurorit, futbollisti bëri përpjekje të turpshme për të mbuluar sjelljen e tij dhe të shokëve të tij e po ashtu ofendoi shqiptarët dhe policinë greke sepse historia nuk rezultonte e vërtetë.

Mirëpo, Maguire është rikthyer të flasë sërish për këtë çështje.

“Disa njerëz do të më besojnë, disa jo. Por nëse mund të them një gjë për Mykonos-in është që nuk kam asnjë pendim. Nuk shqetësohem për asgjë sepse ndërgjegjen e kam të pastër për atë që ndodhi atë natë. Të gjithë njerëzit që ishim atë natë, 9 veta, të gjithë e kuptojmë se çfarë ndodhi”, është shprehur ai për The Times.

Futbollisti anglez përveç historisë së trillimit me shqiptarët ofendoi dhe sulmoi bashkë me shokët e tij, oficerët e policisë që i shoqëruan në komisariat. Për këto arsye ai u shpall fajtor nga gjykata greke dhe u dënua me kusht, 21 muaj e 10 ditë burg për dëmtim, tentativë për të dhënë ryshfet dhe fyerje ndaj punonjësve të policisë pas arrestimit.

Maguire nuk ka kërkuar asnjëherë falje as se pse trilloi për shqiptarët, por në një intervistë për mediat pasi u kthye në Britani u shpreh se u frikësua se do të rrëmbenin grupin me të cilin ai po kalonte pushimet.

Sipas tij, ai ka dalë bashkë me një shok për të kërkuar ndihmë në një rrugë kryesore, por më pas pretendon se ka ndaluar, ka ngritur duart lart ndërsa policët e kanë goditur në këmbë.

Sipas futbollistit, personat që e kanë goditur nuk kanë qenë policë. Maguire është në pritje të vendimit të apelit dhe pretendon se është dhunuar gjatë kohës që ka qëndruar në komisariat./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share