Ministri i Drejtësisë Igor Filkov në një intervistë për gazetën “Veçer” duke folur për reformat e paralajmëruara të Qeverisë në gjyqësor dhe shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publik, njofton se për momentin në tavolinë janë të gjitha opsionet dhe kërkohet zgjidhja më e mire e mundhme. Sa i përket Këshillit Gjyqësor, Filkov thotë se një pjesë e reformave tashmë janë planifikuar dhe se çfarë do të realizohet do të varet nga analiza e funksionalitetit si sistem.
“Nevoja për reforma është e dukshme. Mosfunksionimin e aparatit gjyqësor e shohin dhe e ndiejnë qytetarët, sidomos ata që janë në vetë sistemin, në thelb dhe ligjërisht. Kërkohen reforma që i referohen konkretisht punës së Këshillit Gjyqësor, gjë që e pamë edhe gjatë vlerësimit dhe rritjes së transparencës së procedurave disiplinore. Disa nga këto reforma tashmë janë planifikuar dhe çfarë do të zbatohet do të varet nga analiza e funksionalitetit si sistem”, thotë ministri i Drejtësisë.
Duke folur për Këshillin Gjyqësor, ministri thotë se ata si Qeveri dhe si ministri e shohin Këshillin si një organ krejtësisht të pavarur, vendimet e të cilit udhëhiqen nga përgjegjësia disiplinore individuale e anëtarëve të tij.
“Apelojmë profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre ndaj paradigmave ligjore dhe kjo reformë është në atë drejtim. Prandaj, ne po iniciojmë arritjen e pavarësisë që do të vijë nga vetë gjyqtarët dhe prokurorët, që ata të zgjedhin anëtarët dhe të mbajnë përgjegjësi morale, profesionale dhe ligjore në atë zgjedhje. Këshilli Gjyqësor nuk duhet të ndikohet nga propozimet e Qeverisë, Kuvendit apo presidentit. I japim hapësirë, tani, që Këshilli Gjyqësor të konfirmojë pavarësinë e tij me vendime të pavarura, së pari për përbërjen e tij. Edhe ne kemi dhënë kohë, por ende nuk ka asnjë përgjigje, propozim apo vendim nga ana e tyre. “Por për momentin të gjitha zgjidhjet janë në tavolinë dhe ne po kërkojmë më të mirën”, thotë Filkov,
Filkov njofton se deri më tani nuk ka pasur takim zyrtar me kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, por shpreson se në periudhën në vijim do të gjendet kohë për dialog.
Ndryshe, Qeveria e re ka paralajmëruar reforma në gjyqësor. Kryeministri Hristijan Mickoski, synon të shpërndajë Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, dhe gjyqtarët dhe prokurorët të zgjedhin anëtarët e tyre. /tvklan.mk/