Shoqëria civile e Nigerit mobilizon kombin për të luftuar

Demostrata janë planifikuar në të gjithë kryeqytetin, Niamey për të kundërshtuar ndërhyrjen e huaj

Junta ushtarake e Nigerit dhe grupet e Shoqërisë Civile i bënë thirrje kombit që të mobilizohet në kryeqytet për të luftuar për lirinë e vendit dhe për t’iu kundërvënë ndërhyrjes së huaj .

“Ne po flasim për largimin e menjëhershëm të të gjitha forcave të huaja. Do të mobilizohemi kundër të gjitha formave të kërcënimeve për të vazhduar luftën për sovranitetin e popullit. Dinjiteti i popullit nigerian do të respektohet nga të gjithë pa përjashtim”, tha për Associated Press Mahaman Sanoussi, koordinator i përkohshëm për grupin e shoqërisë civile M62 që organizon protestën.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Marshimi përkon në ditën e pavarësisë së kombit të Afrikës Perëndimore nga ish-kolonizatorët, Franca. Protestat kundërshtojnë ndërhyrjen e huaj. Përpara demonstratës, Ambasada Franceze në Niamey i kërkoi qeverisë së Nigerit të marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e ambienteve të saj pasi u sulmua nga protestuesit javën e kaluar.

Udhëheqësi i grushtit të shtetit të Nigerit ka deklaruar se ai nuk do të përkulet para presionit për të rivendosur ne pushtet presidentin Mohamed Bazoum, duke kritikuar sanksionet e vendosura nga udhëheqësit e Afrikës Perëndimore si “të paligjshme” dhe “çnjerëzore” dhe duke u kërkuar bashkatdhetarëve të tij që të përgatiten për të mbrojtur kombin e tyre.

Komentet e gjeneralit Abdourahamane Tchiani gjatë një fjalimi televiziv vijnë pasi shefat e mbrojtjes të ECOWAS u takuan për të diskutuar krizën në Niger. Blloku rajonal ka vendosur sanksione të rënda ekonomike ndaj Nigerit dhe ka kërcënuar se do të përdorë forcën nëse presidenca e Bazoum nuk rikthehet deri më 6 gusht. Ai gjithashtu ka dërguar një delegacion në Niger të kryesuar nga ish-udhëheqësi nigerian Abdulsalami Abubakar për të negociuar me ushtarët që morën pushtetin .

Retorika e zjarrtë shënon një intensifikim të përplasjes së Nigerit me ECOWAS-in, i cili ka luftuar për demokracinë në Afrikën Perëndimore në dy vitet e fundit. ECOWAS do të zhvillojë takim treditor në Abuxha. Aktualisht këtë grup rajonal e udhëheq Nigeria, një superfuqi ushtarake dhe ekonomike në Afrikën Perëndimore. Ky shtet ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Nigerin me qëllim për të shtuar presionin ndaj krerëve të puçit.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share