Pjesa më e madhe e Shkupit, nga orët e hershme të mëngjesit mbeti pa ujë, për shkak të sanimit të paralajmëruar të ujësjellësit kryesor të qytetit. Është mbyllur një nga valvulat kryesore, kurse me mungesë të ujit përballen pjesa më e madhe e lagjeve nga ana e djathtë e Vardarit.
Nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimi” kanë siguruar se sanimi do të zgjasë maksimum 15 orë.
UJËSJELLËSI DHE KANALIZIMI – SHKUP
“Qëllimi kryesor i këtij plani operativ është përmirësimi i furnizimit me ujë dhe presionit në Komunën Gjorçe Petrov dhe Karposh, me riparimin e 6 segmenteve ku gjatë dekadave të kaluara janë shënuar humbje të mëdha të ujit”
Kryebashkiakja e Shkupit, Danela Arsovska, siguroi se ndërprerja e ujit do të jetë sikurse gjatë çdo intervenimi të rregullt. Sipas saj, sanimi i këtillë ndodh një herë në 50 deri 60 vjet duke akuzuar autoritetet e mëparshme të Shkupit se kanë anuluar këtë operacion më shumë se një dekadë.
Në Shkup ujë ka vetëm në disa lagje: Çair, Butel, Radishan, Vizbeg, Bardovcë, Saraj, Shuto Orizarë dhe pjesë të Gjorçe Petrovit.
Për shkak të mungesës së ujit, ditëve të kaluara u shënua rritje e shitjes së ujit nëpër markete, kurse Instituti për Shëndet Publik u rekomandoi qytetarëve që të krijojnë rezerva të ujit – 4 litra për persona brenda një dite, të shfrytëzojnë mjete dezinfektimi për duart dhe të përgatisin ushqime që nuk kërkojnë shumë ujë për t`u gatuar dhe për t`u pastruar enët.
Nga ISHP-ja dolën edhe me një njoftim për qytetarët se pas mënjanimit të defektit, uji nuk do të jetë menjëherë I sigurt për pije.
ISHP
“Më së miri është që gjatë orëve të para pas lëshimit të ujit në rrjetin e ujësjellësit, qytetarët të vazhdojnë të konsumojnë ujë të paketuar, deri në njoftimin e Ndërmarrjes Publike se uji është në rregull dhe i sigurt për t`u konsumuar”
Në Klinikat për sëmundje kirurgjike, do të realizohen vetëm intervenimet urgjente. Drejtorët e institucioneve kanë njoftuar se janë ndërmarrë të gjitha masat që të mos ketë ngecje gjatë intervenimeve urgjente.
Një pjesë e lokaleve të Shkupit kanë siguruar rezerva uji, të tjerë janë ankuar se mungesa e ujit do t`u shkaktojë telashe gjatë fundjavës, kurse disa lokale paralajmëruan se nuk do të punojnë. /tvklan.mk