Shkup: Njoftimi i rrejshëm për bombë paralizoi transportin publik

Një thirrje anonime për bombë të vendosur në autobus të Ndërmarrjes Publike të Transportit ka paralizuar Shkupin. Punëtorët nuk arritën të shkojnë me kohë nëpër punë, kurse fëmijët u vonuan për në shkollë, pasi autobusët e Transportit publik ishin tërhequr nga trafiku, kurse në transportin publik privat u krijua rrëmujë dhe kaos.

Policia ka ndaluar një punonjës të Ndërmarrjes së Transportit Publik , për të cilin vlerësojnë se ka dërguar kërcënimet përmes postës elektronike. Ekipi policore të anti-terrorit kanë kryer kontrolle, pas cka autobusët nisën të kthehen në trafik.

“J.I nga e-maili I tij, në e-mailin zyrtar të ndërmarrjes dhe në e-mailat e të gjithë drejtorëve, shërbimeve financiare, juridike dhe të tjerëve, duke u kërcënuar se për shkak të mospagesës së rrogës, ka planifikuar të vendos bombë në autobus të NPT, që do të shpërthente gjatë protestave të sotme” – njoftoi MPB-ja.

Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve erdhi pasi dje kishte paralajmërime për protesta nga ana e Sindikatave të NPQ-së, për shkak të mospagesës së pagave dhe situatës së rëndë financiare në të cilën gjendet ndërmarrja. Kryebashkiakja e Shkupit, Danela Arsovska, për kolapsin në transportin publik ka akuzuar Qeverinë dhe vetëqeverisjen lokale, se nuk ka shlyer detyrimet ndaj NPQ-së.

Qeveria përgënjeshtroi se ka borxhe, pasi Sekretari i Përgjithshëm i Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov, tha se MASH-i ka borxh prej 120 milion denarëve ose rreth 2 milion euro për transportin pa pagesë për nxënësit dhe studentët.

Me kërkesë të grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së për sot është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Propozohet që nga buxheti mjetet të ridestinohen për pagat e punonjësve të Ndërmarrjes Publike “Shkupi”. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share