Shkup: Në vendin e punës ndërron jetë punëtori i ndërtimit nga Turqia

MPB: ME URDHËR TË PROKURORIT PUBLIK TRUPI I 34 VJEÇARIT ËSHTË DORËZUAR PËR OBDUKSION

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:40 në një kompani ndërtimi në qendër të Shkupit u raportua se nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë një punëtor ndërtimi 34 vjeçar.

Sipas informacioneve të Klan Maqedoni, punëtori ka rënë nga një skele ndërtimi dhe i njëjti është dërguar në klinikat e Shkupit ku ka ndërruar jetë pak orë pas aksidentit.

Në fotografitë që u publikuan mbrëmë në rrjetet sociale shihet prezencë e personave në hyrje të Klinikes Nënë Tereza dhe sipas informatave jo zyrtare pas lajmit për tragjedinë, ka ndodhur edhe një incident në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, por Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë detaje.

MPB-ja përmes komunikatës ka dhënë detaje për vdekjen e shtetasit turk.

“Me datë 02.05.2023 në ora 18:40 në SPB-Shkup është raportuar se nga një objekt në ndërtim në zonën e Qendrës është lënduar punëtori F.A.(34) nga Republika e Turqisë, me vendbanim të përkohshëm në Shkup, i cili është transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” për dhënie të ndihmës mjekësore. Nga plagët e marra F.A. ka ndërruar jetë pak më vonë” – thonë nga MPB.

Nga MPB gjithashtu thonë se ekipi nga SPB Shkupi ka kryer hetime dhe me urdhër të prokurorit publik trupi i të ndjerit është dorëzuar për obduksion.

Ndryshe, vitin e kaluar, 22 punëtorë kanë ndërruar jetë në vendet e tyre të punës. Sipas shoqatës për Mbrojtjen e punëtorëve në vendet e punës, shumica e viktimave vijnë nga industria e bujqësisë e ndërtimtarisë.

Numrat zyrtarë, tregojnë se më shumë se 3 milion persona në botë vdesin në vendin e tyre të punës, ndërsa më shumë se 10 milion vdesin prej ndonjë sëmundje të shkaktuara në vendin e punës. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share