MPB: Kallëzim penal kundër një zyrtare të SPB-Shkup – mitmarrje prej 12.500 euro!

Një person i autorizuar zyrtar i punësuar në MPB është kapur në flagrancë me mbi 10.000 euro nga vepra e kryer penale “Mashtrim”. Lajmi fillimisht u bë i ditur në Facebook nga Ministri i Brendshëm Teknik, Pançe Toshkovski, kurse më pas është konfirmuar nga MPB-ja.

MPB-ja ka ngritur kallëzim penal kundër një 41-vjecare nga Komuna e Sarajit, e punësuar në SPB – Shkup, për shkak të dyshimeve për vepra të kryera penale “Mashtrime”.

Sipas MPB-së, policia kishte vepruar sipas denoncimeve të tri personave të dëmtuar, kurse e punësuara në SPB – Shkup dje ishte kapur në momentin duke marrë 12.500 euro, që paraprakisht ishin përpunuar në mënyrë kriminalistike.

Paratë, pretendohet se I janë dhënë për të ndërmjetësuar për marrjen e banesave sociale të kategorisë B.

“Lidhur me veprën, është kryer bastisje në hapësirat zyrtare të të dyshuarës, ku janë gjetur dokumentacione që lidhen me veprën penale, dokumente që dyshohen se janë të falsifikuara, marrëveshje për huamarrje, marrëveshje ndërmjetësimi për ndarje të banesave sociale, si dhe fletore me dorëshkrime ku është bërë evidentimi i personave” – thonë nga MPB.

Policia gjithashtu njofton se është bastisur edhe shtëpia e të 41-vjecares së dyshuar në fshatin Bukoviq, ku janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municione.

Për të dyshuarën është caktuar masa e kujdesit, I është marrë pasaporta dhe ka ndalesë që të mos largohet nga Shkupi – thonë nga MPB-ja. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share