Kuqezinjtë vazhdojnë fazën përgatitore derisa pasditën e sotme kanë lënë pas ndeshjen e tretë kontrolluese. Pas fitoreve ndaj Tikveshit (1:0) dhe Tiranës (1:0), Shkëndija sot në Tetovë u mund 0:2 nga Llapi i Podujevës.
Me disa ndryshime në formacion trajneri Jeton Beqiri pjesën e parë provoi të shihte si do gjendej skuadra me këtë përbërje, por përveç startit të mirë me një presion të lartë, në vazhdim nuk arritëm të rrezikonim seriozisht Llapin e vendosur mirë në fushë e që shfrytëzoi dy momente me Adem Maliqin (15’ dhe 42’) kur goditjet ndaleshin në rrjetën e Ferat Ramanit për epërsi 2:0 të ekipit kosovar pas pjesës së parë.
Fraksioni i dytë solli 6 ndryshime në formacion, Taleski mori pozitën e tij në portë, mbrojta pa të rreshtuar Trumçin, Meliqin, Caken e Merxhanin, në mesfushë Totre i’u bashkua Reshat Ramadanit, Shala zuri vendin standard si sulmues i majtë, Krasniqi u kthye si organizator (pjesën e parë luajti si sulmues i avansuar), Krstevski në të djathtë, ndërsa në krye të sulmit u vendos Ademi. Ndryshimet sollën një qasje të re dhe Shkëndija dominoi gjithë pjesën e dytë, por nuk arriti të shënojë vetëm falë pritjeve spektakolare të portierit të dytë të miqve, Vokli Laroshi. Krstevski, Totre e Ademi në disa raste rrezikuan por pa sukses, derisa Laroshi ishte në nivel edhe në 11-të metërshin e gjuajtur nga Shala (61’). Taleski që hyri në lojë në pjesën e dytë solli dy super pritje, derisa në anën tjetër Laroshi vazhdonte të bënte mrekulli në portën e Llapit, duke qenë më i merituari që kuqezinjtë në pjesën e dytë nuk arritën dominimin dhe shanset t’i përkthenin në gola.
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Maliqi 15’ dhe 42’ (Llapi).
SHKËNDIJA: Ramani, Trumçi, Cake (c), Adili, Webster, Qaka, R. Ramadani, Jakupi, F. Ramadani, Krstevski, Krasniqi.
Luajtën edhe: Nga min. 46’ Taleski, Meliqi, Merxhani, Totre, Shala, Ademi. Nga min. 73’ Kurti, nga min. 77’ Rexhepi, nga min. 80’ Nuhija.
Trajner: Jeton Beqiri /tvklan.mk/