Shkatërrimi i Libisë, jo vetëm nga lufta

Kriza klimatike i intensifikoi përmbytjet, por ishte konflikti që i bëri libianët të papërgatitur

Një garë për të gjetur atë që ka mbetur. Mijëra të zhdukur dhe të vdekur. Për shumë libianë kjo është tragjedia më e madhe njerëzore.

I ulur pranë një grumbulli rrënojash me lot në sy, libiani Abdulkarim Awad Ben Ali tha se ishte mirënjohës që familja e tij i mbijetoi përmbytjeve, por shtoi se ndihej i pashpresë për realitetin e ri me të cilin po përballet.

Ben Ali, i cili është i martuar dhe ka tre djem dhe dy vajza, tha se humbi 16 anëtarë të familjes së tij të gjerë, ndërsa të tjerë të zhdukur.

Adbulkarim Awad Ben Ali, i mbijetuar: E gjithë familja ime mbijetoi falë Zotit. Por xhaxhai im, gjyshi im dhe disa të tjerë i humba në këtë tragjedi. Kishte, familje të tëra që vdiqën. Numri i anëtarëve të familjes që humbën jetën arrinte nëntë deri në 10.

Ai humbi gjithashtu shtëpinë dhe makinën e tij të re nga stuhia. Ben kishte ëndërr të blinte një tokë ku mund të ndërtonte një shtëpi për familjen e tij. Tani ëndrrat e tij u shuan.

Abdulkarim Awad Ben Ali, i mbijetuar: Kjo është një fatkeqësi që ka ndodhur në Libi. Derna-s iu thye shtylla kurrizore.

Hassan Kassar, nuk mundi t’i mbante lotët pasi humbi katër nga fëmijët e tij në përmbytje. Mes lotëve dhe kujtimit të tij sesi i vdiqën fëmijët, Kassar vazhdonte të përsëriste fjalët “Unë jam krejt vetëm tani”.

Ai i shpëtoi vdekjes ndërsa po shkonte në Egjipt për një procedurë mjekësore përpara se stuhia të godiste qytetin e tij.

U kthye në Derna pasi mori një telefonatë për dëmtimin e shtëpisë së tij, vetëm për të mbërritur dhe mësoi se katër nga fëmijët e tij, dy vajza dhe dy djem humbën jetën së bashku me mbesën e tij. Vajzat e tij do të martoheshin në Tetor, por kjo ëndërr kaq e bukur u varros së bashku me ato.

Hassan Kassar: Dy djemtë dhe dy vajzat më humbën, nuk m’i mori Zoti, por stuhia. Reshjet e shiut morën çdo gjë përpara. Shikojeni tani nuk kam asgjë, jam i vetëm humba gjysmën e shpirtit. Nuk kam arsye tanimë për të jetuar.

Vitet e luftës civile, korrupsionit dhe neglizhencës institucionale i lanë banorët e shtetit të Afrikës Veriore në mëshirën e stuhisë mesdhetare.

Udhëtimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit për në qytetin libiane Derna zgjat tani dy herë më shumë. Shumë fshatra tanimë janë rrafshuar, mes tyre edhe tokat bujqësore. Çdo gjë është shkatërruar dhe kërkimi për të zhdukurit është vështirësuar gjithnjë e më shumë, ndërsa shpresat zbehen dita ditës.

Fuqia shkatërruese e ujit ka qenë e jashtëzakonshme. Makinat shtrihen përreth si lodra të ngritura ose të mbështetura me kokë poshtë. Punën e ekipeve të kërkim shpëtimit po e vështirëson edhe era e rëndë që ka përfshirë Dernën dhe jo vetëm për shkak të ujërave të zeza. Banorët në Derna numërojnë humbjet e tyre nga përmbytjet shkatërruese.

Ahmad Ali Karkara: Kam qenë dëshmitar i gjithçkaje që ka ndodhur nga fillimi deri në fund, që nga momenti i rënies së shiut. Mes viktimave është vëllai im dhe gjithë familja e tij. Këtu, në zonën tonë, ka njerëz që marrin me qira shtëpi, sepse është zonë turistike. Por asgjë nuk ka mbetur këtu, vetëm djerrinë.

Për të mbijetuarit, jeta këtu ka ndryshuar përgjithmonë, ka pikëllim të madh dhe zemërim.

Saad Rajab Mohammed Al Hassi: Nuk është e lehtë për një njeri të kalojë këtë. Nuk është e lehtë. Vetëm Zoti e di se çfarë po kalojmë. Askush nuk ju ndihmon. As qeveria nuk na ndihmoi. Ne jemi në qiell të hapur pasi qeveria nuk ka as burime për të ndihmuar. Fatmirësisht, ne libianët jemi një, ndihma erdhën vetëm nga Tripoli, Misrata dhe jugu.

Me pak shpresë, Ilham al-Thibyani dhe bashkëshorti i saj Hassan Awad u kthyen në shtëpinë e tyre në Derna të Libisë, pasi përmbytja shkatërroi pjesë të qytetit bregdetar. Duke ecur nëpër shtëpi, ata gjetën sendet e tyre të përmbysura dhe të mbuluara me baltë, duke shkatërruar atë që ajo e cilëson si ëndrrat e jetës.

Ilham Al Thibyani: Nuk e di se çfarë ndjej, nuk mund ta shpreh. Vdekjen e pashë me sytë e mi, pashë familjen time që do të vdiste para syve të mi. Pashë njerëz që po vdisnin përpara meje, një moment qe nuk mund të përshkruhet. Ëndrra e një jete e ndërtuar me sakrifica u shkatërrua në pak sekonda. Kërkojmë ndihmë, asgjë nuk kemi dhe askush nuk po na i kthen sytë.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në qytetin bregdetar lindor të Libisë është rritur në të paktën 11,300, sipas një raporti të OKB-së. Më shumë se 40,000 njerëz janë zhvendosur në të gjithë Libinë verilindore që nga reshjet ekstreme të shiut që solli stuhia “Daniel”.

Rrugët që çojnë në disa zona të goditura nga stuhia Daniel janë ende pjesërisht të bllokuara, duke penguar përpjekjet për të ndihmuar të prekurit. Banorët në qytetin port janë ende në gjendje shoku ndërsa kujtojnë edhe momentet kur përmbytjet e furishme përfshinë qytetin.

Ekspertët thonë se përmbytjet shkatërruese erdhën si shkak i shumë faktorëve që lidhen me infrastrukturën e shkatërruar, paralajmërimet e pamjaftueshme nga autoritetet për motin e keq dhe efektet e përshpejtimit të krizës klimatike.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupet e tjera të ndihmës u kërkuan autoriteteve në Libi të ndalojnë varrosjen e viktimave të përmbytjeve në varreza masive, duke thënë se këto mund të sjellin shqetësime mendore afatgjatë te familjet ose të shkaktojnë rreziqe shëndetësore nëse ndodhen pranë ujit.

Për këtë tragjedi, banorët kanë drejtuar gishtin autoritetet. Ata shprehen se kanë marrë mesazhe kontradiktore për urdhrat e evakuimit për të lëvizur për ti shpëtuar valës së përmbytjeve.

Organizatat humanitare lëshojnë një paralajmërim kritik se përmbytjet mund të kenë nxjerrë në sipërfaqe mina tokësore të pashpërthyera dhe armë të tjera të lëna pas nga lufta.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka bërë të ditur se municioneve të pashpërthyera që kanë mbetur në zonë, veçanërisht në qytetin e vjetër të Dernës, më i godituri nga përmbytjet, kanë ndryshuar vendndodhje pasi dy digat shpërthejnë dhe përmbytën zonën dhe tanimë po kthehen në rrezik serioz.

Autoritetet shëndetësore kanë ngritur gjithashtu alarmin për përhapjen e sëmundjeve të shkaktuara nga uji, veçanërisht në qytetin Derna. Ekspertët kanë paralajmëruar se përmbytjet kanë kontaminuar rëndë burimet e ujit të pijshëm me ujërat e zeza, duke i bërë ato të pasigurta për konsum dhe duke i ekspozuar komunitetet ndaj rreziqeve të rënda shëndetësore.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, të paktën 150 njerëz janë sëmurë për shkak të kontaminimit të ujit në 10 ditët që nga përmbytjet, duke përfshirë rreth 55 fëmijë në Derna.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share