Shkarkohet Halimi / Muhsin Arifi drejtor i ri në Spitalin Psikiatrik në Shkup

Pas shkarkimit të ish drejtorit të Spitalit Psikiatrik në Shkup, Blerim Halimi, Aleanca për Shqiptarët ka zëvendësuar atë me Muhsin Arifin, përcjell KlanM.

Blerim Halimi, kuadër i të njejtës parti, ishte emëruar në pozitën e drejtorit më 27 mars, por u shkarkua brenda pak javësh. Ai kërkoi përgjigje nga Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe nga kryetari i ASH-së, Arben Taravari, për arsyet e shkarkimit.

Muhsin Arifi është arkitekt me profesion, ndërsa në krye të Spitalit Psikiatrik vjen si kuadër i ASH-së, konkretisht kryetar i degës së kësaj partie në Saraj, përcjell KlanM.

“Nuk është sekret që kushtet e spitalit aktualisht janë shumë larg pritshmërive, në shumë raste të mjerueshme si shkak i neglizhencës se deritanishme nga menaxhmenti. Jemi duke u përballur me një sërë sfidash, duke filluar nga ndërtesat e vjetra dhe resurset e kufizuara, deri te stafi i pamjaftueshëm qe rezulton me cilësi të dobët të kujdesit ndaj pacientëve. Këto sfida dhe shumë të tjera gjenden para nesh, megjithatë, unë vërtet besoj se çdo sfidë është një mundësi për zhvillim dhe ndryshim pozitiv”, ka shkruar Arifi në njoftimin për marrjen e detyrës së re./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share