Sadiku: Kërkoj nga institucionet që të zbardhin rastin
Besar Sadiku nga Haraçina e Shkupit e shiti tokën për të ndërtuar shtëpi, por hajnat i vodhën paratë e tokës së shitur dhe mbeti pa shtëpi dhe pa para. Ai kërkon nga institucionet që të zbardhin rastin.
Me paratë nga toka e shitur deshi të filloje një etapë të re në jetën e tij, por…
“Në vitin 2017 e shitem token, i morëm paratë nga banka për të paguar një vend këtu në Haraçinë ku edhe jetojmë, ora 5:30 katër persona të maskuar, me pistoleta hynë në shtëpi na i morën paratë dhe u larguan, motrës sime dhe djalit mixhës me pistoleta mbi kokë u kanë ndenjtë, lajmëruam rastin në polici, erdhën nga krim teknika dhe deri tani nuk ka asgjë nga policia”, deklaroi Besar Sadiku.
Besari dhe familja e tij me vite të tëra po kërkojnë ndihmë nga institucionet
“Automjetin e kanë gjetur menjëherë në mëngjes atë ditë, që 5 vite nuk ka asgjë, kemi qenë tek ministri Oliver Spasovski, të njëjtën na e tha edhe Oliver Spasovski, që të shohim ku ka ngelë rasti dhe do tu thirri, 4 vite presim por deri tani nuk ka asnjë përgjigje, kam tentuar që ta takoj përsëri Oliver Spasovskin por sigurimi nuk na lejon na thuan ju nuk u pranon ministri, ne më nuk e dimë se ku të shkojmë”, tha Sadiku.
Nga vjedhja e 94 mijë eurove në orën 5 të mëngjesit, përveç stresit dhe tronditjes së shkaktuar, siç thotë Besari, nuk ka më as shpresë që me 20 mijë denarët që merr të ndërtojë shtëpinë e tij.
“Të nevojshme kanë qenë se unë kam mbetur pa shtëpi, mund të incizoni edhe shtëpinë, ja ku jetoj, token e shita për shtëpi, më kanë lënë edhe pa shtëpi edhe pa asgjë, s’di me as ku të ankohem, kemi qenë edhe në prokurori, as atje nuk na pranojnë nuk di më ku të shkoj. Me 20 mijë denarë rrogë nuk mund të ndërtoj shtëpi, ja më kanë lënë katastrofë pa shtëpi pa asgjë, s’di më ku të shkoj ku të kërkoj ndihmë, me 20 mijë denarë nuk mund të arrij muajin e jo më të ndërtoj shtëpi.”, u shpreh Besar Sadiku.
Kërkuam përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e nga atje thanë se SPB Shkup po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit në koordinim dhe sipas udhëzimeve të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup./KlanMacedonia
Gazetar: Avni Tahiri