Shipkovicë: Investime që të mos përsëriten përmbytjet e vitit 2015

QYTETARËT KUJTOJNË GUSHTIN E VITIT 2015

Medi Ahmeti, pas 7 viteve kujton ngjarjen e gushtit të vitit 2015 kur nga përmbytjet në Shipkovicë të Tetovës humbi nipin 4 Vjeçar dhe mbesën 6 Vjeçare.

Ai mes emocionesh tregon ngjarjen, siç thotë, ditës së tmerrit.

“Kur erdha këtu ishte mbushë e gjithë kjo, fëmijët nuk ishin askund, u ndal shiu u qetësua situata dhe kur me thotë e shoqja qe ishte 30 metër me larg shtëpisë tek një fqinj afër dhe me njofton thotë djalin 4 vjeçar dhe mbesën 6 vjeçare nuk i kemi, janë mbytur, djalin 4 vjeçar e gjetëm këtu e vajzën 6 vjeçare, ka qene një shtëpi e vjetër këtu e gjetëm pas 8 ditësh, ajo ka qenë tmerr”, deklaroi Medi Ahmeti- Shipkovicë.

Mediu edhe sot ka frikë se në të ardhmen do të ndodhë përsëri e njëjta.

“Këtu ka ndodhur dy here, edhe në 1932 ka pasur vërshim ku ka pasur dy viktima dhe 2015 beri 4 viktima ky përroi, gjenerali i NATOs me tha u deshtë tu mbyte gjithëve, thash perse gjeneral, tha se ia keni zëne rrugën shiut dhe uji kur ka hasur në rezistencë është tërbuar dhe u ka mbyt ju, me të drejtë e kishte paturp gjenerali, se e kemi zëne e kemi uzurpuar, unë me mashnën aji ka me shtëpinë e tjetri me murin e avllisë, këtu komuna ose shteti te marrin masa ta çelin tersen”, deklaroi Medi Ahmeti- Shipkovicë.

E sot në terren në punimet ndërtimore për rregullimin e përroit në fshatin Shipkovicë, të Tetovës, që po realizohet në kuadër të Programit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut ishin edhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, ambasadorja e Zvicrës Veronique Hulmann, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së Armen Grigoryan dhe kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Fatkeqësitë natyrore nuk mund të ndalen, por mund të reduktohen dëmet nga këto fatkeqësi – tha Ministri Nuredini.

“Me masat e marra, si rezultat i studimeve gjithëpërfshirëse dhe planeve të vlerësimit të rrezikut nga përmbytjet, ne veprojmë në mënyrë parandaluese për të reduktuar rrezikun e përrenjve, përmbytjeve, rrëshqitjeve të tokës të cilave i nënshtrohet ky terren, rrisim qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë e komuniteteve lokale për të trajtuar fatkeqësitë natyrore, si ajo e vitit 2015, e cila mori edhe viktima njerëzore”, deklaroi Ministri i Ambientit Jetësor Naser Nuredini.

Rregullimi i përroit të Shipkovicës ka një gjatësi prej 3,6 km, me theks në pjesën e përroit që kalon nëpër fshat në një gjatësi prej 350 metrash dhe zbatohet nga muaji prill deri në nëntor të këtij viti. Projekti financohet nga Qeveria Zvicerane dhe fondet buxhetore, dhe zbatohet nga UNDP./KlanMacedonia/

Gazetar: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share