Sherri për emigrantët, Meloni sfidon hapur qeverinë franceze dhe nuk i kursen as kritikat

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni e ka quajtur qeverinë franceze “agresive” dhe “të pakuptueshme” pasi kritikoi Italinë për refuzimin e lejimit të një anijeje me emigrantë. Italia kohët e fundit pranoi tre varka të OJQ-ve që shpëtonin emigrantët që kalonin nga Libia, pasi i bllokoi për disa kohë.

Kryeministrja italiane deklaroi gjithashtu se Franca kishte rënë dakord të mirëpriste një tjetër anije: Ocean Viking.

Ky njoftim solli edhe reagimin e zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini, i cili u gëzua duke thënë se “ajri ka ndryshuar”. Gjithashtu lideri i ekstremit të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban e falenderoi Melonin për “mbrojtjen e kufijve të Europës”.

Por sipas asaj që shkruan BBC, raportet sugjerojnë se autoritetet franceze në fakt nuk kishin rënë dakord për një marrëveshje. Në Paris, njoftimi publik i Italisë po shihet si një mënyrë për ta detyruar atë të pranojë varkën.

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin tha se Franca do të lejonte në mënyrë të jashtëzakonshme të ankorohej Ocean Viking. Anija pritej të mbërrinte në Toulon të premten në mëngjes. Por ai i përshkroi veprimet e Italisë si të dënueshme dhe egoiste, duke paralajmëruar për “pasoja shumë të rënda”.

Në një konferencë për shtyp të premten, Meloni tha se ishte e tronditur nga “reagimi agresiv” i Francës, të cilin ajo e përshkroi gjithashtu si të pajustifikuar.

Komentet vijnë në mes të një lufte gjithnjë e më shpërthyese fjalësh midis dy vendeve anëtare të Bashkimit Europian për emigracionin, të cilin qeveria e re e djathtë e Italisë është zotuar se do ta frenojë.

Franca pezulloi një marrëveshje për të pranuar 3,500 emigrantë të zhvendosur nga Italia, u ka kërkuar vendeve të tjera anëtare të BE-së të bëjnë të njëjtën gjë dhe ka forcuar kontrollet në kufijtë e saj me Italinë.

Meloni ka paralajmëruar se nuk do të ishte një lëvizje “inteligjente” që BE të izolonte Italinë. Ajo theksoi se vendi i saj kishte pranuar pothuajse 90,000 emigrantë këtë vit, ndërsa Ocean Viking, me 234 në bord, ishte varka e parë e shpëtimit e OJQ-ve që Franca kishte pranuar ndonjëherë.

“Situata nuk mund të vazhdojë kështu”, shtoi Meloni, duke thënë se me reagimin e saj, Franca kishte tradhtuar solidaritetin europian.

Ndarja e pabarabartë e barrës së emigracionit ka shkaktuar prej kohësh fërkime brenda BE-së. Italia, Greqia dhe Spanja kanë argumentuar se nuk mund të pritet që ata të mbajnë mbi supe peshën.

Politika e brendshme gjithashtu është përfshirë në përplasje, në të dy anët e kufirit. Kryeministrja e Italisë, liderja e parë e ekstremit të djathtë e vendit që nga Lufta e Dytë Botërore, bëri fushatë për ndalimin e anijeve me emigrantë dhe duhet të kënaqë bazën e saj elektorale.

Në Francë, presidenti Emmanuel Macron përballet me presionin e ekstremit të djathtë, udhëheqësja e të cilit Marine Le Pen ka qenë e shpejtë për të përfituar nga kjo çështje. Ajo akuzoi Emmanuel Macron-in për “pakujdesi dramatike” me pranimin e anijes, duke denoncuar dështimin e tij për të ndaluar “emigracionin masiv dhe anarkik”.

Cilido qoftë motivi, rezultati është tani kriza më e keqe midis Francës dhe Italisë që nga viti 2019, kur zëvendëskryeministri i atëhershëm italian bëri një vizitë solidariteti te protestuesit antiqeveritar të jelekëve të verdhë në Francë, duke bërë që Parisi të tërhiqte ambasadorin e tij në Romë.

“Është e rrallë që anëtarët perëndimorë të BE-së të kritikojnë njëri-tjetrin kaq hapur dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për marrëdhëniet midis qeverisë së re të Italisë dhe aleatëve të saj tradicionalë”, shkruan BBC./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share