Të dielën e fundit të Marsit supozohet të ndërrojë ora. Pra nga ajo dimërore të kthehet ora verore. Por njerëzit në Liban janë zgjuar ndryshe këtë të diel për shkak se brenda shtetit ka dy zona të ndryshme kohore. Kjo ndodh si pasojë e përplasjes politike dhe fetare për faktin se kur duhet që akrepat e orës të shkojnë para.
Kryeministri Najib Mikati shpalli se ora verore do të hyjë në fuqi në fund të muajit të Ramazanit, pra muajin tjetër. Kjo, u jep mundësi besimtarëve islamë që të thyejnë më herët agjërimin.
Por autoritetet kristiane thanë se do ta ndryshojnë orën të dielën e fundit të Marsit, si çdo vit. Shumë biznese kanë zgjedhur të bëjnë njësoj.
Por kjo “përplasje” tregon ndarjen e thellë në një vend ku fraksionet kristiane dhe myslimane nisën një luftë civile në fund të viteve 1970 dhe 1980 dhe ku në fakt pozicionet politike shpërndahen nëpërmjet grupeve fetare.
Të enjten Mikati, i cili i përket besimit islam, vendosi që të shtyjë orën verore deri më 20 Prill. Ai nuk dha arsye për këtë lëvizje, por analistët argumentuan se është një lëvizje për të rritur popullaritetin e tij gjatë Ramazanit.
Nëse ora nuk ndryshon, agjëruesit mund ta hanë iftarin një orë më herët, pra rreth orës 18:00 në vend të orës 19:00 kur perëndon dielli.
Por Kisha në Liban lajmëroi që nuk do ta zbatonte vendimin duke e quajtur atë të habitshëm. Edhe disa organizata të tjera në Liban kanë bërë thirrje për ta injoruar atë. Disa prej kanaleve televizive e ndryshuan orën. Ndërkohë kompania e fluturimeve Middle East vendosi për një kompromis.
Kompania tha se orët e saj dhe pajisjet e tjera do të qëndrojnë në orën dimërore, por fluturimet duhet të përshtaten me orën verore për të shmangur planifikimet e fluturimeve ndërkombëtare./tvklan.al