Shënohet 25 vjetori i Epopesë së UÇK-së

Sot e përmbushim vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit duke ndihmuar FSK-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së,

në fjalimin e saj theksoi se Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë do të mbetet gjithmonë. Ajo është shprehur se po përkujtohet 25 vjetori i një ngjarjeje që i tregoi botës se çfarë mund të bëjë një popull për lirinë e tij.

““Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe kështu do të mbetet gjithmonë”. Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25 vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar, Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmendi punën e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari ku tha se tërë jetën ia ka kushtuar përgatitjes për luftën e Kosovës për çlirim.

“ Në këtë 25 vjetor të Epopesë së UCK-së le të kujtojmë fillet e kësaj traditë përkujtimore të nisur më 5, 6 dhe 7 mars 1999 ku ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë Ai është gjallë. Ato ditë ishte ende koha e luftës, për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur tërë jetën dhe asaj luftë që ai ia kushtoi tërë jetën. Ai është gjallë edhe sot, veçanërisht sot dhe veçanërisht tek ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Është kështu sepse origjina e Ushtrisë së Kosovës duhet kërkuar në fund të viteve 80 atëherë kur Ademi nisi të fliste me shokët, për nevojën që kishte Kosova për të patur ushtrinë, andaj sot ne e përmbushim edhe vizionin e atëhershëm të Adem Jasharit për Ushtrinë e Kosovës teksa e ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila është në proces të transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Kurti.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari uroi shëndet e mbarësi për ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online. Jashari ka bërë thirrje për bashkim sepse vetëm të tillë do të realizohen qëllimet shekullore.

“Sot UÇK-ja na ka bashkuar këtu për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme. Është një kënaqësi, krenari me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur Dem baba Dem. Iu uroj 25-vjetorin, shëndet e punë të mbarë, shpresojmë që t’i arrijmë qëllimet tona shekullore, për hir të luftës, gjakut, bijtë e bijave tona, të gjejmë një gjuhë të përbashkët e t’i arrijmë qëllimet. Lavdi dëshmorëve, lavdi të gjithë të rënëve”, u shpreh Jasha

Ndërkaq , me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare sot vizituan Prekazin. Në mesin e tyre edhe politikan nga Maqedonia e Veriut./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share