“Zemër Luana” gjithmonë ka dashur të përçojë dashurinë përmes ekranit dhe këtë të diel ka ditur ta bëjë më së miri. Sonte në mbrëmje do të shohim shumë puthje, sfida e deklarata dashurie nga të ftuarit VIP, të cilët do të elektrizojnë skenën e spektaklit të argëtimit “Zemër Luana”, me autore dhe moderatore Luana Vjollcën, në Televizionin Klan.
Të ftuar në këtë festë “Shën Valentini” nuk mund të mos ishin çifte të famshme shqiptare e shumë të preferuar nga publiku, por nuk mund të mungonte edhe energjia e personazheve që nga publiku dihen ende beqarë. Të paktën ne deri më sot të tillë i kemi ditur, “single”, por a janë vërtet, sonte e mësojmë!
Çiftet e ftuar VIP janë: moderatorja Einxhel Shkira dhe partneri i saj, DJ i njohur si DJ Dagz, këngëtari i shumë pëlqyer Shpat Kasapi dhe partnerja e tij Selvije Kasapi. Mirëpo ata nuk do të jenë vetëm, pasi në panel do të jenë edhe këngëtarja Anxhela Peristeri dhe aktorja Monika Lubonja, të cilat rrëfehen sonte për dashurinë e tyre si kurrë më parë, madje njëra prej tyre do të martohet sonte “live”! Po-po sonte kemi një martesë në “Zemër Luana”.
Ju tashmë e dini që përpos të ftuarve specialë në “Zemër Luana” nuk mungojnë këngëtarët e mbrëmjes dhe sonte do të kemi 3 super performanca. E para vjen nga artisti i pëlqyer Devis Xherahu dhe më pas për t’ua lënë surprizë do të kemi të ftuar 3 artistët më të dëgjuar për momentin, edhe pse këngëtarë të rinj në treg. Ata janë Hazy dhe Klodian Kodra me hit-in e tyre “Anash i lija” dhe Orgito me hit-in e tij, “Dashnia ime”.
Këto e shumë e shumë surpriza të tjera do të ndodhin vetëm sonte në orën 21:00 në ekranin e Televizionit Klan, në “Zemër Luana”, nën drejtimin e autores Luana Vjollca./tvklan.al