Gjatë një vizite në veriun e Kanadasë, zoti Stoltenberg tha se trajektorja më e shkurtër drejt Amerikës së Veriut për raketat dhe bombarduesit rusë kalon mbi Polin e Veriut. Ai tha se Rusia ka krijuar një Komandë të re për Arktikun dhe ka çelur qindra objekte ushtarake në Arktik, si objekte të reja, ashtu edhe ato të vjetra të epokës sovjetike, si p.sh. pista avionësh dhe porte detare.
“Vërejmë një rritje domethënëse të kapaciteteve ushtarake ruse, me baza të reja, sisteme të reja armësh, si dhe përdorimin e veriut të largët si terren për të testuar armët e tyre më të përparuara, përfshirë raketat hipersonike”, tha zoti Stoltenberg në një bazë ushtarake kanadeze në Cold Lake, Alberta.
Zoti Stoltenberg vuri gjithashtu në dukje se Kina e ka shpallur veten një shtet “pranë Arktikut”. Ai tha se Pekini kërkon të prodhojë anijen akullthyese më të madhe në botë dhe po shpenzon dhjetëra miliarda dollarë për projekte energjitike, infrastrukturore dhe studimore në veri.
“Pekini dhe Moska janë zotuar gjithashtu të shtojnë bashkëpunimin praktik në Arktik. Kjo është pjesë e një partneriteti strategjik në rritje, i cili sfidon vlerat dhe interesat tona”, tha zoti Stoltenberg.
Ai gjithashtu vuri në dukje se ndryshimi klimatik po e bën Arktikun më të arritshëm për njësitë ushtarake dhe mirëpriti njoftimin rishtazi të Kanadasë se do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili shoqëronte zotin Stoltenberg, paraqiti disa nga shpenzimet dhe aktivitetet që Kanadaja po bën në veri. Ndër të tjera janë premtimet për të angazhuar fonde prej miliarda dollarësh për paisje dhe kapacitete të reja ushtarake, përfshirë planet për të blerë avionë të rinj luftarakë dhe për të modernizuar sistemin e vjetër NORAD të Amerikës së Veriut, që funksionon në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara./VOA