SHBA ulet në Hënë pas gjysmë shekulli

Historike, për herë të parë ky mision kryhet nga një mjet privat hapësinor. “Nasa”: Arritje e madhe

Anija kozmike “Odysseus” është bërë i pari mjet hapësinor privat që ka rikthyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas 50 vitesh në Hënë.

E lëshuar nga kompania “Intuitive Machines” me bazë në Hjuston kjo anije ka hyrë në histori, pasi realizoi me sukses uljen në polin jugor të Hënës, një arritje vetëm e 5 shteteve deri tani.

Inxhinierëve iu desh të kapërcenin disa probleme deri në uljen e plotë. Orët përpara uljes ishin të tensionuara për shkak të dështimit të sistemit të navigimit me lazera. Ekipi i kontrollorëve vendosi të provonte një sistem eksperimental të NASA-s që nuk ishte përdorur më parë dhe mjetit hapësinor iu desh të bënte edhe një tjetër rrotullim përreth Hënës për të mundësuar këtë ndryshim të momentit të fundit.

NASA e përshëndeti uljen si një arritje të madhe. Një tjetër kompani rivale nuk arriti të bënte ulje në Hënë muajin e kaluar.

Anija e ndërtuar me fibra karboni dhe titaniumi, me një lartësi prej 4.3 metrash, mban në bord gjashtë paisje eksperimentale të NASA-s, e cila i pati paguar kompanisë 118 milionë Dollarë për prodhimin dhe fluturimin e anijes, në kuadrin e përpjekjeve për të komercializuar udhëtimet drejt Hënës, ndërsa është planifikuar edhe rikthimi atje i astronautëve, pak vite më vonë.

Operacioni i kompanisë Intuitive Machines është përpjekja më e fundit në një seri përpjekjesh nga shtete dhe kompani private. Japonia arriti një ulje në Hënë muajin e kaluar, duke iu bashkuar kështu uljeve të suksesshme nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India.

Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga prania në sipërfaqen e Hënës në vitin 1972, pasi programi Apollo i NASA-s dërgoi 12 astronautë në sipërfaqen e Hënës. Një kompani nga Pitsburgu, Astrobotic Technology, bëri një përpjekje muajin e kaluar, por pësoi një rrjedhje karburanti që e detyroi anijen t’i drejtohej sërish atmosferës së Tokës ku edhe u dogj.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share