SHBA-RMV mbajnë ‘Dialog Strategjik’ për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut mbajtën të enjten në Uashington për herë të parë një Dialog Strategjik, të përqendruar në thellimin e partneritetit dypalësh përsa u takon nismave rajonale, mbrojtjes dhe sigurisë, energjisë dhe mjedisit, shkëmbimeve kulturore, profesionale dhe arsimore, qeverisjes së mirë dhe marrëdhënieve tregëtare.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani e vlerësuan Dialogun, si edhe marrëdhëniet dypalëshe.

“Mendoj se (Dialogu Strategjik) do të shërbejë për ta thelluar bashkëpunimin, koordinimin, bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Blinken.

“Fillimi i Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë paraqet një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona të përgjithshme dypalëshe dhe mendoj se është një hap logjik përpara që prej 30 vjetësh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vendosura, 15 vjetësh partneriteti strategjik, dhe veçanërisht dy vjet si aleatë në NATO”, tha zoti Osmani.

Zoti Blinken vlerësoi reformat që ka ndëmarrë Maqedonia e Veriut në demokraci, energji si edhe nismat ekonomike rajonale. Në një njoftim të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për Dialogun Strategjik, shprehet mbështetja e Uashingtonit për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e përparimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Zoti Blinken në komentet e tij i bëri jehonë këtij qëndrimi.

“Ne mbështesim fuqimisht ambiciet e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne duam shumë të shohim (që ky proces) të ecë përpara dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë në çdo mënyrë që mundemi”, tha ai.

Ministri Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Uashingtonit në këtë drejtim.

“Për ne është vendimtare që (Shtetet e Bashkuara) e shohin këtë si një objektiv strategjik, por edhe që kanë mbështetur shoqërinë tonë për të përmbushur kriteret. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në tejkalimin e mosmarrëveshjeve (me Bullgarinë) për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe për të shtyrë përpara gjithë rajonin drejt perspektivës euroatlantike”, tha ai.

Zoti Blinken dhe zoti Osmani folën edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës. Ministri i Maqedonisë së Veriut vizitoi së fundmi Ukrainën. Ai tha se Dialogu Strategjik do të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani kur vlerat tona janë sfiduar”, tha ai duke iu referuar agresionit rus.

Zoti Osmani falenderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen politike që kanë dhënë për Maqedoninë e Veriut, e cila tha ai e ka ndihmuar vendin drejt “një demokracie funksionale multietnike, të një lloji të veçantë që shërben si referencë, si model për rajonin”.

Ai theksoi se pika kryesore e bashkëpunimit ka qenë ai për anëtarësimin e vendit në NATO, të cilin Ministri i Jashtëm e cilësoi si synimin parësor strategjik të Maqedonisë së Veriut.

Pikat e Dialogut Strategjik

Dialogu Strategjik mes dy vendeve u zhvillua në Departamentin e Shtetit dhe u drejtua nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Dr. Karen Donfried dhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Në një njoftim të Departamentit të Shtetit thuhej se ata do të punojnë “për të avancuar së bashku përparësitë e përbashkëta për sigurinë dhe mirëqenien dypalëshe, në kontinentin evropian dhe në mbarë botën.”

Nismat Rajonale

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut nënvizuan mbështetjen e tyre të fortë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe për të drejtën e saj për të ndjekur të ardhmen evropiane që ajo ka zgjedhur. Ata i bënë thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë luftën e paprovokuar dhe të tërhiqet plotësisht nga Ukraina.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se dy vendet konfirmuan përkushtimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes iniciativave politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe theksuan mbështetjen e tyre për integrimin ekonomik dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara theksuan rëndësinë e përparimit të procesit të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Shtetet e Bashkuara thanë se do të mbështesin punën e Maqedonisë së Veriut kur ajo të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2023.

Mbrojtja dhe siguria

Maqedonia e Veriut është aleatja më e re e NATO-s dhe si e tillë nënvizoi angazhimin e saj për të promovuar paqen dhe stabilitetin në kontinentin evropian.

“Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Maqedonia e Veriut theksuan rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të mbrojtjes së nivelit të lartë, kryerjes së stërvitjeve dypalëshe dhe aktiviteteve stërvitore për të përmirësuar ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë, si dhe rëndësinë e përmbushjes së angazhimeve të NATO-s në mbështetje të sigurisë kolektive”, thotë Departamenti i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara përgëzuan zhvillimin e zonës së trajnimit në Krivolak të Maqedonisë së Veriut për t’i shërbyer angazhimeve komplekse stërvitore të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.

Dy vendet rikonfirmuan gjithashtu bashkëpunimin në kuadrin e Kartës së Adriatikut (A5), si një platformë unike për bashkëpunim rajonal.

Energjia dhe mjedisi

Të dy vendet ritheksuan angazhimin e tyre për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë së energjisë në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe në një mënyrë që të parandalojë ndikimet e ndryshimeve klimatike .

“Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut ritheksuan angazhimin e tyre për forcimin e partneritetit në prodhimin e energjisë tranzicionale dhe të rinovueshme”, thuhet në nioftimin e Departamentit të Shtetit.

Maqedonia e Veriut përsëriti angazhimet e saj për të hequr gradualisht qymyrin deri në vitin 2030.

Shkëmbimet njerëzore

Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut konfirmuan angazhimin e tyre për të zgjeruar shkëmbimet arsimore, kulturore dhe profesionale që nxisin mirëkuptimin e ndërsjellë midis popujve të dy vendeve.

Bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit

Të dyja vendet janë të përkushtuara për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global, dhe për të vënë në jetë premtimet e bëra në Samitin për Demokraci të organizuar nga Presidenti Joe Biden.

“Viti i Veprimit është një mundësi për të dyja vendet që të zbatojnë angazhimet e Samitit dhe të vazhdojnë përpjekjet për të forcuar demokracinë në vend, rajonal dhe global”, thuhet në njoftim.

Tregtia dhe Investimet

Të dy vendet rikonfirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh ekonomik dhe tregtar. Shtetet e Bashkuara e shohin Maqedoninë e Veriut si një treg në zhvillim të rëndësishëm strategjik me potencial të lartë rritjeje.

“Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara shprehën gatishmërinë për të shfrytëzuar mundësitë tregtare, për të avancuar reformat e klimës së biznesit dhe për të vazhduar identifikimin dhe reduktimin e barrierave për tregtinë dhe investimet”, përfundon njoftimi i Departamentit të Shtetit./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share