Departamenti i Drejtësisë publikoi të premten një variant të redaktuar të një dokumenti ku detajohen të dhënat mbi të cilat ishte justifikuar urdhri për kontrollin e FBI-së më 8 gusht në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida.
Megjithëse pjesë të konsiderueshme të dokumentit janë mbuluar nga Departamenti i Drejtësisë, ai ofron disa detaje të reja mes së cilave fakti që 14 nga 15 kutitë me të dhëna të gjetura në Mar-a-Lago në fillim të këtij viti përmbanin 184 dokumente të klasifikuara, disa prej të cilave tepër sekret.
Pasi i mori dokumentet fillestare në fillim të vitit, Departamenti i Drejtësisë kërkoi që të kontrollohet rezidenca e Presidentit Trump në Florida, nga shqetësimi se zbulimi i tyre mund të kompromentonte “burime njerëzore” të përdorura për mbledhjen e informacionit, sipas dokumentit të redaktuar të bërë tashmë publik.
Dokumenti prej 32 faqesh përmban detaje shtesë në lidhje me një hetim penal që paraqet probleme të reja ligjore për zotin Trump, ndërsa ai shqyrton mundësinë e një kandidimi tjetër presidencial.
Ai e vë theksin tek vëllimi i dokumenteve të ndjeshme qeveritare të mbajtura në Mar-a-Lago dhe zbulon shqetësimet e FBI-së se të dhënat mbaheshin në mënyrë të paligjshme.
Megjithëse zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë i kanë fshirë disa informacione të ndjeshme rreth dëshmitarëve, si dhe synimin e hetimit, varianti i publikuar ofron një shpjegim më të plotë për kontrollin në Mar-a-Lago.
Gjykatësi federal Bruce Reinhart, duke argumentuar që publikimi ishte në interes të publikut, urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që të bënte publike deklaratën e redaktuar.
Gjatë kontrollit më 8 gusht, FBI-ja mori më shumë se 20 kuti që përmbanin 11 dosje të dhënash të klasifikuara qeveritare, disa prej të cilave të etiketuara si “tepër sekret”.
Urdhri për kontrollin që tashmë është bërë publik, tregon se Departamenti i Drejtësisë po heton shkelje të mundshme të tre ligjeve të ndryshme federale, përfshirë atë për spiunazhin.
Publikimi i dokumentit vjen pas kërkesës së disa organizatave të mediave që argumentuan se përmbajtja e tij ishte në interes të publikut. Departamenti i Drejtësisë i kishte kundërshtuar më herët këto argumente, duke thënë se publikimi mund të përmbante informacion privat për dëshmitarët dhe për taktikat hetimore./VOA