ShBA-ja përmes një letre i ka dhënë Izraelit 30 ditë afat për të rritur urgjentisht aksesin e ndihmave humanitare në Gaza, ose siç thuhet aty do të përballet me ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane.
Kjo letër përbën paralajmërimin më të fortë të njohur me shkrim nga administrata Biden për aleatin e saj, ndërsa vjen pasi sulmi i Izraelit në Gazën veriore ka pasur zhvendosje masive të detyruar të civilëve në jug.
Letra për të cilën BBC thotë se e ka verifikuar, është dërguar dy ditë më parë, ndërsa është nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Në letër Amerika shprehu “shqetësim të thellë” për “përkeqësimin e situatës humanitare”, ndërsa theksoi se Izraeli muajin e kaluar mohoi ose pengoi gati 90 % të lëvizjes humanitare midis veriut dhe jugut të Gazës.
Gjithashtu aty u cek se urdhrat e evakuimit kanë detyruar 1.7 milion njerëz të shkojnë në një brez të ngushtë bregdetar ku ata janë në “rrezik të lartë të ngjitjes vdekjeprurëse”.
Letra kërkon “veprime urgjente dhe të qëndrueshme” nga qeveria izraelite këtë muaj, për të ndryshuar gjendjen.
Amerika tha se Izraeli “duhet, duke filluar tani dhe brenda 30 ditëve” të veprojë në një sërë masash konkrete për të rritur furnizimet me ndihma.
Në letër u cituan ligjet e ShBA-së që mund të ndalojnë ndihmën ushtarake për vendet që pengojnë dërgimin e ndihmës humanitare amerikane, përcjell Klankosova.tv.
Aty i bëhet thirrje Izraelit t’i japë fund “izolimit të Gazës veriore” duke riafirmuar se nuk do të ketë “asnjë politikë të qeverisë izraelite për evakuim të detyruar të civilëve” nga veriu në jug.