SHBA do të shesë 15 milion fuçi nafte për të ulur çmimet

Plani i presidentit Biden synon të shtojë furnizimin në vazhdën e vendimit të OPEC+ që do të shkurtojë prodhimin

Presidenti Joe Biden ka paraqitur planet për të shitur 15 milionë fuçi nga Rezerva Strategjike e Naftës e vendit deri në fund të vitit dhe detajoi një strategji për të rimbushur rezervën kur çmimet të bien.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të blejë naftë për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës kur çmimet të bien në 70 dollarë për fuçi. Kjo do të thotë që kompanitë e naftës mund të investojnë për të rritur prodhimin tani me besim se do të jenë në gjendje të na shesin naftën e tyre po me atë çmim në të ardhmen 70 Dollarë”, ka thënë Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhe po përpiqet të ulë çmimet e benzinës përpara zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit. Lëvizja erdhi dy javë pasi organizata OPEC+ e udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi për ulje të prodhimit, duke rritur frikën për një rritje të re në çmimet të karburantit në SHBA.

Pritet që nafta shtesë të hidhet në treg gjatë periudhës së dimrit. Kjo është pjesë e 180 milionë fuçive naftë që presidenti Biden autorizoi në muajin mars për t’u hedhur në treg nga rezervat strategjike. Sasia e naftës që ndodhet në rezervat strategjike ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1984 ku aktualisht në të ka rreth 400 milionë fuçi naftë.

Biden fajësoi agresionin rus për çmimet më të larta të naftës së papërpunuar dhe benzinës ndërsa i bëri thirrje kompanive amerikane që të mos i përdorin fitimet për të blerë aksione tani teksa kriza po përshkallëzohet.

Ndërkaq çmimet e naftës u rritën me më shumë se 1 dollarë edhe pas njoftimit të bërë nga presidenti amerikan Joe Biden. Nafta në bursën amerikane u rrit 1.43 dollarë në 86.98 Dollarë për fuci, ndërsa ajo në bursën e Londrës u rrit 1.33 Dollarë në 93.74 Dollarë për fuçi. Ndërkohë, kërkesa globale për karburant mbetet e pasigurt.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share