Frika për një hakmarrje ndaj Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Hanje ka bërë që SHBA të forcojnë praninë e tyre ushtarake në rajon.
Ushtria amerikane do të dislokojë avionë dhe anije luftarake shtesë në Lindjen e Mesme pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten që Irani të përmbushë zotimin e tij për t’u hakmarrë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin e ka informuar Izraelin për ndryshimet aktuale dhe të ardhshme të pranisë së forcave amerikane në Lindjen e Mesme.
Zyrtarët i thanë më herë agjencisë së lajmeve Reuters se po shqyrtojnë një gamë të gjerë variantesh, përfshirë mjetet ajrore dhe detare. Mbetet e paqartë nëse përgatitjet amerikane janë aq intensive sa ishin përpara 13 prillit, kur Irani ndërmori një sulm me dronë dhe raketa kundër territorit izraelit. Ushtria izraelite eliminoi me sukses pothuajse të gjitha raketat dhe dronët, rreth 300, me ndihmën e ushtrisë amerikane dhe aleatëve të tjerë.
Vendimi për rritjen e prezencës ushtarake në rajon vjen një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan një bisedë telefonike.
Biden siguroi edhe një herë tjetër kryeministrin izraelit se SHBA mbetet e angazhuar për sigurinë e Izraelit kundër të gjitha kërcënimeve nga Irani. Vdekja e Haniyeh ishte një nga një seri vrasjesh të figurave të larta të Hamasit, ndërsa lufta në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit po i afrohet muajit të 11-të dhe frika për një përshkallëzim të konfliktit rritet. Një delegacion izraelit do të udhëtojë në Kajro në ditët në vijim për negociatat për të arritur një armëpushim në Gaza dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.