Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Kryetarin e Këshillit Evropian Sharll Mishell, i cili qëndron në vizitë njëditore në vend. Në takim
ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive më të vogla politike në Kuvend.
Duke e përshëndetur vendimin e Kryetarit Mishell për vizitën e vendit në këto çaste, që të njoftohetme mendimet dhe qëndrimet ndryshe, Kryetari Xhaferi theksoi se udhëheqësia aktuale edhe në të kaluarën ka marrë vendime të cilat në mënyrë afatgjate janë treguar si të drejta për shtetin dhe për ardhmërinë dhe se mban përgjegjësi për marrjen e vendimeve strategjike. Duke tërhequr një paralele me pajtimin e Francës dhe Gjermanisë si bazë për formimin e Bashkimit Evropian të sotëm, konkludoi se mënyra e vetme për tejkalimin e mosmarrëveshjeve bilaterale mbetet dialogu dhe
mirëkuptimi i ndërsjellë. Në drejtim të dërgimit të dokumenteve për pranimin e kornizës së negocimit, Kryetari Xhaferi potencoi se të njëjtat do të procedohen sapo të dorëzohen në Kuvend.
Kryetari Mishell arsyetoi se vjen në emër të 27 vendeve anëtare të Unionit të cilat qëndrojnë prapa kornizës së propozuar që personalisht ti dëgjojë opinionet e argumentuara dhe legjitime dhe rezervat e aktorëve politikë, duke theksuar se ka mirëkuptim për frustrimet dhe dëshpërimin në vitet e fundit rreth mosfillimit oficial të negociatave. Ndodhitë në fqinjësinë më të gjerë evropiane kontribuuan për vendime më të determinuara të liderëve evropianë, në raport me procesin e zgjerimit dhe parandalimin e palëve të treta në realizimin e interesave të tyre të cilat janë në kundërshtim me interesat e Unionit. Në raport me shqetësimin rreth formulimeve në kornizën e negocimit, ai sqaroi se për gjuhën maqedonase drejtohet mesazh i qartë nga Këshilli i BE-së se i njëjta respektohet dhe të gjitha dokumentet gjatë procesit do të përkthehen në gjuhën maqedonase. Po ashtu, potencoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë e kritereve dhe se është me rëndësi që të njëjtat të tejkalohen, por edhe se në procesin e negocimit janë të përfshira të gjitha anëtaret e BE-së të cilat me vëmendje e ndjekin procesin e negocimit.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, shprehu falënderim për takimin e sotëm në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për shtetin, duke e sugjeruar
mostransparencën në udhëheqjen e çështjeve strategjike si arsye për reagimin e opinionit më të gjerë, duke shprehur rezervë ndaj propozimit, me kërkesë që të vihet në pah protokolli bilateral me
Republikën e Bullgarisë, që opinioni të bindet nëse i njëjti është apo nuk është pjesë e pakos së negocimit.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së Jovan Mitreski, sugjeroi se procesi i negocimit është i ndërlikuar dhe e elaboroi revoltën te qytetarët për mosrespektimin e garancive të dhëna sipas
Marrëveshjes së Prespës për fillimin e negociatave me BE-në. Qytetarët ndjejnë pasiguri nëse në këtë kornizë negocimi janë kërkesat e fundit për vendin. Ai shprehu mbështetje dhe kërkoi ndihmë nga BE-ja gjatë procesit.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim Arbër Ademi, theksoi se miqtë vijnë të japin mbështetje në kohëra të vështira. Ai alarmoi për valën e lajmeve të rrejshme rreth propozimit aktual, sidomos për gjuhën maqedonase dhe për fillimin e negociatave vetëm për Republikën e Shqipërisë, duke apeluar te të gjithë faktorët ta pranojnë propozimin me çka do u jepet fund këtyre lajmeve për racionalitet në marrjen e vendimeve të këtilla të rëndësishme.
Përfaqësuesja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini, e mbështeti propozimin aktual, duke bërë apel për kohezion shtetëror dhe shoqëror të procesit.
Koordinatorja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, e theksoi qëndrimin e tyre të qartë për marrjen e vendimeve strategjike, si anëtarësimi në NATO dhe tani fillimi i negociatave me BE-në, duke dhënë mbështetje për propozimin aktual dhe shfrytëzimin e momentit për kthimin e shpresës, sidomos te popullata e re në vend.
Përfaqësuesi i BESË-s Bastri Bajrami, theksoi se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se japin mbështetje të qartë ndaj propozimit aktual, me apel për maturinë e subjekteve politike për ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme.
Kryetari Mishell falënderoi për qëndrimet e shprehura, duke sugjeruar se ka një pasqyrë shumë më të qartë për ndodhitë aktuale, duke i inkurajuar liderët politikë të marrin vendime sipas bindjeve
personale. Dera e BE-së është e hapur: tani varet prej jush nëse do të hyni brenda, përfundoi Mishelli.