Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se i ka bërë tri kërkesa zyrtare Serbisë për të konfirmuar identitetin e personit për të cilin u raportua se është Faton Hajrizi, i vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë.
MPJD-ja ka kërkuar edhe mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk ka pasur përgjigje zyrtare nga institucionet serbe.
“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë dhe rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, kemi kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së, për Dukagjinin.
MPJD-ja ka theksuar se më 30 korrik 2024, me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe përmes avokatit Arianit Koci, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjekoligjorë nga Beogradi te nëna e Faton Hajrizit në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, te pjesa serbe.
Por, edhe pse autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim.
Po ashtu, nga ana e MPJD-së thuhet se janë në komunikim me shtetet e QUINT-it, Misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja. /Dukagjini/