Serbi, zhvillohen funeralet e viktimave të dy vrasjeve masive

Brenda një jave u shënuan 17 të vdekur e 21 të plagosur, shumica fëmijë

Thirrjet pikëlluese bënë jehonë në Serbi teksa u zhvilluan të shtunën funeralet për disa nga viktimat e dy vrasjeve masive që ndodhën këtë javë, duke lënë 17 vetë të vdekur dhe 21 të plagosur, shumica prej tyre fëmijë.

Mijëra njerëz ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë shkollës ku ndodhi tragjedia e parë në Beograd, në shenjë trishtimi e solidariteti.

Dragan Vllahoviç u vra të mërkurën së bashku me tetë nxënës. I dyshuari 13-vjeçar është në paraburgim dhe do t’i nënshtrohet vlerësimit psikiatrik, thotë policia.

Të enjten u vranë tetë vetë në fshatrat në jug të Beogradit. Policia e arrestoi autorin e dyshuar të premten. Për rastin e dytë, policia tha se vrasësi ndaloi një taksi pas vrasjes dhe e detyroi shoferin ta çonte në një fshat më në jug, ku u arrestua të premten. Oficerët më vonë thanë se gjetën armë dhe municione në dy shtëpi që ai përdorte.

I dyshuari, i identifikuar si Uros Blaziç, u mor në pyetje nga prokurorët të shtunën. Ai do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe e municioneve.

Blaziç mbante veshur një bluzë me simbole pro-naziste. Udhëheqësi populist AleksandarVuçiç premtoi se “horri nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit”.

“Një tragjedi e paprecedentë, e tmerrshme. Ende nuk mund të pranojmë se diçka e tillë ka ndodhur vërtetë”, tha një banor i fshatit.

Serbia po mban tre ditë zie, me flamujt e ulur në gjysmështizë, ndërsa televizionet kanë ndaluar programet argëtuese.

Mësuesit, nxënësit dhe familjet e viktimave po ndihmohen nga mbi 200 profesionistë të shëndetit mendor.

Një prej psikiatërve, Srdjan Milanoviç, tha se problemi më i përhapur është “agresioni” në të gjitha format e mediave.

“Agresioni është padyshim i përhapur në kohën në të cilën jetojmë, në të gjitha format e medias, përfshirë filmat, televizionet dhe artikujt e gazetave. Është e paqartë ku përfundon agresiviteti që vëzhgojmë çdo ditë në mjedis. Nuk kemi asnjë masë për të pakësuar sasinë e informacionit në lidhje me agresionin që na përcjellin gazetarët, sidomos me mënyrën e raportimit për ngjarjet agresive, vrasjet e tmerrshme dhe lajmet e tjera që ata mbulojnë”.

Pas dy ngjarjeve tragjike, qeveria prezantoi një sërë masash që synojnë parandalimin e dhunës në shkolla dhe reduktimin e numrit të armëve që mbahen nga civilët.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share