“Sekreti” i elitës politike amerikane

Më shumë se 100 politikanë kanë paraardhës persona që kanë skllavëruar njerëz me ngjyrë

Një gur i gdhendur në qendrën e vizitorëve të  ndërtesës së Kapitolit të SHBA shërben si një kujtesë se Kongresi amerikan u ndërtua pjesërisht nga skllevërit. Shumë ligjvënës amerikanë nuk duhet të shikojnë larg për të gjetur një lidhje shumë më personale me skllavërinë në Amerikë, një sistem brutal që rezultoi në konfliktin më vdekjeprurës në historinë e SHBA.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Në hulumtimin e gjenealogëve të elitës politike të Amerikës, zbulohen se një e pesta e kongresmenëve të vendit, presidentëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe guvernatorëve janë pasardhës të drejtpërdrejtë të paraardhësve që skllavëruan njerëzit me ngjyrë.

Midis 536 anëtarëve të Kongresit të fundit, Reuters  zbuloi të paktën 100  prej tyre janë me këtë prejardhje.

Ato përfshijnë disa nga politikanët më me ndikim në Amerikë: senatorët republikanë Mitch McConnell, Lindsey Graham, Tom Cotton dhe James Lankford, dhe demokratët Elizabeth Warren, Tammy Duckworth, Jeanne Shaheen dhe Maggie Hassan.

Përveç kësaj, presidenti Joe Biden dhe çdo ish-president i gjallë i SHBA-ve përveç Donald Trump-it janë pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre që skllavëronin njerëzit me ngjyrë si Jimmy Carter, George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama. Paraardhësit e Trump erdhën në Amerikë pasi skllavëria u shfuqizua.

Asnjë nga 118 politikanët e identifikuar nga Reuters nuk kundërshtoi gjetjet se të paktën një nga paraardhësit e tyre kishte skllavëruar njerëz, por pak ishin të gatshëm të diskutonin këtë temë.

Ligjvënësja Julia Brownley, një demokrate nga Kalifornia, ishte ndër ata që ofruan komente pasi Reuters i dërgoi me email asaj një dokument për paraardhësin e saj Jesse Brownley. Sipas të dhënave të vitit 1850, paraardhësi i saj skllavëroi tre njerëz në mesin e tyre edhe një vajzë 8-vjeçare.

“Familja ime, nëna dhe babai im, prindërit e tyre, prindërit e prindërve të tyre, të gjithë erdhën nga Virxhinia. Pra, në një farë kuptimi, unë nuk isha shumë e befasuar. Por nga ana tjetër u surprizova shumë kur më thanë se stërgjyshi im kishte dy skllevër dhe një fëmijë skllav dhe kjo më lëndoi me të vërtetë shumë. Pra të kuptosh që ka patur skllavëri në familjen time ishte një gjë që për t’u mësuar. Por siç e thashë edhe në fillim ky fakt nuk ishte një surprizë pasi  familja ime vjen nga shteti i Virxhinias aty ku edhe ka patur edhe shumë skllevër”, tha ajo.

Brownley u rrit në Virxhinia. Prindërit e saj e regjistruan atë në një shkollë për vajza, tre orë larg shtëpisë.

Horizonti i saj u zgjerua kur studioi shkenca politike dhe histori në Kolegjin Mount Vernon, një shkollë që më vonë u bashkua me Universitetin George Washington, duke e lejuar atë të takonte njerëz të ndryshëm, duke përfshirë një shok dhome me ngjyrë.

“Skllavëria ishte një nga mëkatet më të mëdha në vendin tonë. Dhe është e rëndësishme për ne të mësojmë historinë dhe të vërtetat e saj, duke ditur se demokracia jonë nuk është e përsosur. Dhe të mos ua themi të rinjve, kjo nuk është një gjë e mirë. Ne duam që ata të jenë kritikë, të kuptojnë dekadat e skllavërisë që ndodhën në vendin tonë dhe pabarazinë e vazhdueshme racore në Amerikë. Pra kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse nëse të rinjtë nuk mësojnë për të vërtetat e vendit tonë, historia thjesht do të përsëritet.”

Për Brownly është e rëndësishme të njihet dhe të pranohet e kaluara në mënyrë që të ndërtohet një e ardhme më e mirë.

“Unë mendoj se është e rëndësishme për secilin anëtar të Kongresit, për sa i përket trashëgimisë së tyre, që ata ta dinë këtë të vërtetë dhe t’i besojnë asaj. Ne si politikëbërës, anëtarë të Kongresit, duam ta çojmë vendin tonë përpara. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë pa i ditur edhe plagët në historinë tonë. Dhe ne  mund ta bëjmë këtë vetëm duke besuar tek këto fakte sepse vetëm kështu mund të formulojmë një politikë më të mirë.”

Për të gjurmuar prejardhjen e elitës politike, gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters mblodhën dhjetëra informacione në faqet e mijëra dokumenteve.  Ata analizuan të dokumentet tatimore, të dhënat e pasurive, shkrimet e gazetave dhe certifikatat e lindjes dhe vdekjes. Për përfaqësuesin Gregory Meeks, një kongresmen me ngjyrë që përfaqëson një distrikt në Queens, Nju Jork, kërkimi për paraardhësit e tij vazhdon.

Demokrati më i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Meeks tha në një intervistë se ai ka shpenzuar vite duke u përpjekur të gjurmojë historinë e tij familjare përpara vitit 1870.

“Tani jam në gjendje të angazhohem deri në një farë mase në  kauzën për të cilën po flas, sepse di disa fakte  nga  e kaluara ime dhe di për përvojat e mia. Dhe kështu kur ata thonë të tyren për kthimin në të kaluarën, unë jam në gjendje të kontribuoj për të thënë timen. E dini, shpeshherë kur individët thonë ‘Ne duhet të kthehemi atje ku ishte Amerika’, unë nuk dua të kthehem ashtu siç ishte Amerika. Dhe sigurohem që t’ua artikuloj këtë kolegëve të mi. Shumë shpesh kur flasim për shërbimet financiare dhe pabarazitë ekonomike, aksesin në kapital ka një debat të nxehtë. Po, unë flas sipas prespektivës time dhe Amerikës në atë kohë dhe si nëse e pranojmë këtë dhe  do të mund të ecim përpara dhe të sigurohemi që të gjithë ne të kemi një Amerikë më të mirë.”

Rreth 15 vjet më pare Meeks, bëri një test të ADN-së që tregoi se familja e tij vinte nga vendi afrikan i Sierra Leones. Vitin e kaluar, ai drejtoi një delegacion të kongresit në Afrikë. Në Sierra Leone, ligjvënësit u ndalën në ishullin Bunce, një ish-port i tregtisë së skllevërve. Ai tha se vizita në port ishte momenti më emocionues për të pasi reflektoi mbi luftën e të parëve të tij.

“Nëse ata nuk do të kishin mbijetuar, unë nuk do të isha. Gjatë kohës kur isha aty  mund ta imagjinoja se çfarë po ndodhte në atë kohë teksa unë po qëndroja në atë ishull. Dhe kështu ishte edhe lot edhe gëzim. Gëzim që jam këtu, por edhe lot për atë që paraardhësit e mi duhej të kalonin.”

Nga 100 ligjvënës të kongresit, 24 iu përgjigjën materialeve të dërguara nga Reuters. Nëntë të tjerë thanë se nuk kishin asnjë koment ndërsa 67 të tjerët nuk dhanë asnjë  përgjigje.

Në një sondazh të kryer nga vetë Reuters për këtë raport tregon se lidhjet e një politikani me skllavërinë mund të ndikojnë tek disa votues. Pothuajse një e katërta e të anketuarve thanë se duke ditur se paraardhësit e një kandidati skllavëronin njerëzit do t’i bënte ata më pak të prirur të votonin për atë kandidat.

Megjithatë politikanët nuk janë të vetmit që ngurrojnë të diskutojnë për stërgjyshërit e tyre që kanë mbajtur skllevër. Në vitin 2015,  kompania PBS njoftoi se kishte pezulluar një sezon të serialit Finding Your Roots pasi u zbulua se aktori Ben Affleck kishte ushtruar presionin ndaj producentëve të saj për të hequr detajet rreth një paraardhësi të tij që kishte skllavëruar njerëzit.

“Nuk doja që në një film për familjen time të përfshihej një djalë që kishte skllevër. U turpërova. Vetë mendimi më la një shije shumë te keqe”, shkroi në atë kohë aktori i njohur në rrjetet sociale.

Por pavarësisht këtij incidenti seriali i njohur rifilloi vitin e ardhshëm. Përveç liderëve politikë të identifikuar nga Reuters, “ka miliona amerikanë që janë gjithashtu pasardhës të skllevërve”.

Megjithatë mes studiuesve, nuk ka marrëveshje saktësisht se sa amerikanë sot kanë një paraardhës që skllavëroi njerëzit me ngjyrë.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share