Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë të hënën për sanksionet ndaj Iranit
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kritikuar ashpër Iranin për shtypjen brutale të protestave, që nisën pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Aminit, e cila u arrestua për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes së hixhabit.
Lideri gjerman ka shprehur mbështetjen për një raund të ri të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Teheranit.
“Ne duam të rrisim më tej presionin mbi Gardën Revolucionare dhe udhëheqjen politike. Sanksionet e tjera do të shtohen javën e ardhshme. Ne mbështesim mbledhjen e provave në mënyrë që autorët të mbajnë përgjegjësi”.
Ai kërkoi ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe lirimin e gazetarëve të burgosur.
“Mbi 300 të vrarë, dhjetëra dënime me vdekje dhe mbi 14.000 të arrestuar deri më tani. Ata që protestojnë kundër shtypjes në Iran rrezikojnë jetën e tyre dhe shpesh jetën e më të dashurve të tyre dhe përballen me torturë dhe me dekada në burgje. Jam i tronditur nga fotot që dalin çdo ditë. Gjermania kërkon “fundin e menjëhershëm të dhunës dhe lirimin e të burgosurve politikë dhe gazetarëve të burgosur”.
Deklaratat e Scholz vijnë përpara një takimi të BE-së të hënën, ku ministrat e Jashtëm do të mendojnë për të ndëshkuar Iranin me sanksione të reja për shtypjen e dhunshme të protestave që kanë shpërthyer në vend si dhe për shkak të furnizimit me dronë për forcat ruse në Ukrainë.
Klan News