Përfundimi i eliminatoreve të Euro2024 dhuroi emocione dhe befasi të mëdha. 53 kombëtare garuan për 20 bileta, duke vendosur rekorde të shumta. Por përpos atyre që u kualifikuan në turneun gjerman, historia u shkruajt edhe nga kombëtare pa shumë pretendime.
Përfaqësuesja e San Marinos e mbylli fazën eliminatore me 10 humbje në po kaq sfida, por arriti një sukses historik. Në tre ndeshjet e fundit, kombëtarja e fundit në renditjen e FIFA-s ka shënuar nga një gol, gjë që nuk ka arritur ta bëjë kurrë më parë.
Pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj Danimarkës dhe humbjes 3-1 ndaj Kazakistanit, pasoi një ndeshje në shtëpi kundër Finlandës dhe në fund pati gëzim pavarësisht humbjes. San Marino u eliminua nga këto kualifikuese me golavarazhin tre gola të shënuar dhe 31 të pësuar.
Një kombëtare që kishte sulmin e gjashtë më të keq, me 3 gola, për të lënë pas në këtë renditje speciale Gjibraltarin, Lihtenshtejnin, Estoninë, Ishujt Faroe dhe Maltën. San Marino ka luajtur 194 ndeshje në historinë e saj dhe ka fituar vetëm një herë, në një miqësore kundër Lihtenshtejnit në 2004.
Klan News