Samiti i Procesit të Berlinit, Kurti: Autorët e sulmit të 24 Shtatorit enden të lirë në Serbi, ky akt duhet ndëshkuar

Tirana për herën e parë po organizon Samitin e Procesit të Berlinit. Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti para liderëve rajonal dhe evropianë foli rreth agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 Shtator ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Ai tha se autorët enden të lirë në Serbi dhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre.

“Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë Euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit tha se edhe 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova kërcënohet me invazion nga Serbia.

“Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, tha shefi i qeverisë së Kosovës.

Në këtë organizim po merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç./Klan Kosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share