Samiti i NATO-s: Kur do të pranohet Ukraina?

Në historinë 74-vjeçare të NATO-s, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare nuk kanë qenë kurrë kaq afër një kundërshtari. Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, është vetëm 200 kilometra nga kufiri me agresorin rus në Kaliningrad. Ndërsa kufiri i Ukrainës, të cilën Rusia e sulmoi, është vetëm 360 kilometra larg. Kufiri i Bjellorusisë aleate të Rusisë, ku pritet të mbërrijnë luftëtarët e Wagner, është vetëm 35 kilometra larg.

Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion4000 ushtarë. Po të shtojmë policinë dhe shërbimet sekrete, atëherë në sigurinë e samitit janë angazhuar 12 mijë persona. Diplomatët lituanezë thonë se duhet të merren parasysh “provokimet” e mundshme ruse, ndaj në mbrojtje janë përfshirë edhe ushtria gjermane, sistemet kundërajrore Patriot janë vendosur përkohësisht rreth Vilniusit, e janë angazhuar edhe njësi speciale ushtarake.

Çfarë duhet të arrijë Lituania?

Hapësira e panairit në kryeqytetin e Lituanisë është rinovuar për nevojat e samitit. Takimi do t’i kushtojë vendit 38 milionë euro. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, beson se janë para të investuara mirë. Ai thotë se me një samit të organizuar mirë, Lituania tregon se është mjaft e “pjekur” për të lehtësuar një takim historik. Nauseda është një mbështetës energjik i Ukrainës dhe i anëtarësimit të saj në NATO. Ai shton se është e rëndësishme për të që NATO të tregojë unitet. Presidenti lituanez thotë se është e nevojshme të shfrytëzohet dobësia e Vladimir Putinit pas tentativës për grusht shteti nga mercenarët e Wagnerit.

“Disa nga kolegët e mi thonë se një Putin i fortë është më pak i rrezikshëm se një Putin i dobët. Unë nuk jam dakord. Ne duhet të veprojmë më energjikisht, sepse jemi në një udhëkryq historik, nëse nuk jemi të vendosur dhe të bashkuar tani, nesër do të jetë vonë”.

Çfarë pret Ukraina nga NATO?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti vazhdimisht qëllimin e tij: “Ukraina është gati për anëtarësim në NATO”. Ne presim se kur NATO do të jetë gati për Ukrainën”. Ai tha se e kupton që Ukraina nuk mund të bëhet anëtare e aleancës ushtarake perëndimore gjatë një konflikti të armatosur, por pret garanci sigurie: “Garancat e sigurisë nuk janë të rëndësishme vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet përreth, për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe agresionit të mundshëm rus në pjesë të tjera të Evropës.”

Pritshmëritë e Kievit janë të larta. Por kancelari gjerman Olaf Scholz, si dhe një numër i krerëve të tjerë shtetesh dhe qeverish të shteteve më të mëdha anëtare, ishin të qartë: “Nuk mund të ketë anëtarësim në aleancën tonë të mbrojtjes gjatë kohës së luftës. Një nga supozimet e anëtarësimit është – që vendi të mos ketë konflikte të pazgjidhura kufitare”.

A do të ishte më mirë një pranim më i shpejtë i Ukrainës në NATO?

Nuk është e qartë se si duhet të duken garancitë e sigurisë së anëtarëve më të mëdhenj të NATO-s si SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania menjëherë pas përfundimit të luftës. Kjo të paktën duhet të diskutohet në Vilnius. Claudia Major, një eksperte për politikat e sigurisë në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë me qendër në Berlin, beson se kancelari gjerman është shumë hezitues. Ajo rekomandon që pjesët e Ukrainës që janë plotësisht nën kontrollin e Ukrainës të pranohen në NATO që tani. Pra, sipas saj, Ukraina do të ishte një aleate e vërtetë dhe NATO-ja do të duhej ta mbronte atë.

“Nuk është një proces i shpejtë dhe i lehtë. Anëtarësimi në NATO është i lidhur me rreziqe të shumta. Por nëse tani themi se anëtarësimi është i mundur vetëm pas luftës, atëherë ky është një motivim faktik për Rusinë që ta zgjasë luftën pafundësisht dhe kështu në mënyrë efektive të ketë një veto mbi të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur lirisht aleatët,” thotë Major për ARD.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mandati i të cilit u zgjat kohët e fundit për një vit, përsërit pa u lodhur formulën se anëtarët e NATO-s do të ndihmojnë Ukrainën me armë, municione dhe trajnime për aq kohë sa i duhet për të zmbrapsur një sulm rus.

“Pres njoftime të reja për ndihmë ushtarake për Ukrainën në samit. Ne do të biem dakord edhe për një program shumëvjeçar për të përgatitur Ukrainën për anëtarësimin në NATO. Ne duhet të arrijmë që Ukraina të mbijetojë si një shtet sovran dhe i pavarur në Evropë”, tha Stoltenberg përpara samitit.

Çfarë është kontestuese?

Në mesin e 30 delegacioneve të anëtarëve të NATO-s, ende nuk ka marrëveshje për detajet e politikës ndaj Ukrainës dhe për planet e mbrojtjes për të penguar sulmet e mundshme ruse, thonë qarqet diplomatike. Përveç kësaj, Hungaria, e cila është e shpesh mbanë qëndrime në favor të Rusisë, nuk është shumë e përfshirë në ndihmën ndaj Ukrainës. Kohët e fundit, Franca është angazhuar për pranimin e shpejtë të Ukrainës në NATO. Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore janë më hezituese, ndërsa shtetet baltike kërkojnë më shumë armë, më shumë municione, në fakt më shumë nga gjithçka për Ukrainën.

Ish-strategu i lartë i NATO-s, Schtefani Babst thotë: “Është mirë të shkosh në një samit dhe të thuash – oh, ne jemi të gjithë në një anë. Por kjo është e pakuptimtë sepse çdokush mund të shohë se ka qasje të ndryshme. Dhe kur ne e shohim këtë, këtë mund ta shohë edhe Putini, e mund ta shohin edhe kinezët dhe iranianët”.

Pse duhet të presë ende Suedia?

Është vendimtare se si amerikanët do të pozicionohen si liderë të NATO-s në tema të diskutueshme. Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur kundër pranimit të shpejtë të Ukrainës në NATO, por synon të dërgojë më shumë ndihmë ushtarake. Përveç kësaj, ai dëshiron të ndikojë tek presidenti turk Erdogan që të heqë dorë nga rezistenca e tij ndaj pranimit të Suedisë si anëtare e NATO-s. Erdogan do të takohet me kryeministrin suedez Ulf Kristerson në Vilnius të hënën (10 korrik), përpara fillimit të samitit. Kreu i qeverisë suedeze ishte në Shtëpinë e Bardhë të dielën e kaluar për të kërkuar mbështetje.

Turqia vazhdon të akuzojë Suedinë se nuk po bën mjaftueshëm kundër terroristëve kurdë që banojnë në vendin skandinav. As parlamenti hungarez nuk ka votuar ende për pranimin e Suedisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se zgjidhja e problemit është në horizont.

Po tani?

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishina, ka udhëtuar vazhdimisht në Evropë gjatë muajve të fundit për të lobuar për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Duke marrë parasysh grindjet brenda NATO-s, ajo vlerëson perspektivat për një premtim të qartë ndaj Ukrainës se do të pranohet në NATO si më poshtë: “NATO është një organizatë shumë e veçantë. Marrja e një përgjigje nga NATO është e ndryshme nga mënyra se si veprojnë miqtë e tjerë politikë në mbarë botën.”/DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share