Mbahet ditën e sotme seanca gjyqësore për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, i akuzuar për korrupsion nëpërmjet aferës seksuale.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila po ndjek nga afër seancën gjyqësore, ka sjellë dëshminë e Gjicit në përfundimit të konkluzioneve që u paraqitën nga avokati i tij.
Gjici ka akuzuar shtetasin Abedin Oruçi, i cili sipas tij, ka paguar Alma Kaçin në shenjë hakmarrje ndaj tij teksa ka pretenduar se kjo ka ndodhur pasi ai nuk e ka lejuar të ndërtojë pa leje në cilësinë e kryebashkiakut të Kukësit.
Gjatë fjalës së tij në seancë gjyqësore, Safet Gjici është përlotur teksa ju ka kërkuar falje familjarëve dhe qytetarëve të Kukësit, ndërsa ka kërkuar pafajësi pasi pretendon se nuk ka shkelur asnjë ligj.
Dëshmia e Safet Gjicit: Kam disa gjëra shtesë për të thënë përpos atyre që tha avokati. Përplasja ime me Abedin Oruçin ka nisur që në vitin 2019 kur une në cilësinë e kryetarit te bashkisë i hoqa atij rrethimin me kangjella hekur të sheshit para bashkisë sepse nuk ishte pronë e tij. Këtë gjë e provova në bazë të dokumetave në Kadastër që ajo tokë nuk ishte e Abedin Oruçit. Bëhet fjalë për 9.3 dylym tokë. Po ashtu, unë nuk kam lejuar që Abedin Oruçi të ndërtojë një objekt pa leje në afërsi të liqenit të Kukësit. Po ashtu, me Oruçin kam pasur edhe përplasje fizike ditën që ka qenë në Kukës ambasadorja holandeze.
Kam bërë kallëzim për Oruçin, 5 akuza ka pasur në ngarkim të tij në Prokurorinë e Kukësit, por kanë arritur që t’i pushojnë. Konflikti mes nesh ka qenë i hapur dhe ai e paguajti Alma Kaçin në shenjë hakmarrje pse une nuk e lashë të zaptonte pronat e bashkisë dhe të ndërtonte në mënyrë të paligjshme. Ai ka qenë 1 vit e ca në kërkim për çështjen e ndërtimeve pa leje. Abedin Oruçi më ka sulmuar për shkak të detyrës që nga 2019 pasi unë s’kam pasur asgjë personale, kam bërë vetëm detyrën. Kush më ka dhënë substancë narkotike Alma Kaçi me bashkëpuntorin e saj, pse këtë fakt nuk e heton prokuroria. Pse Alma pasi bëri videon ja dha Abedin Oruçit, pse nuk është hetuar ky fakt, ndërkohë që unë hetohem prej 6 muajsh, a thua se kam krijuar organizatë terroriste.
Ku është premtimi që i kam bërë unë Alma Kaçit për projektin se nga telefoni im nuk doli asgjë, ndërkohë që ajo kishte komunikuar me Oruçin. Une i thashë shko tek zëvendësi Almës, por ajo as aty nuk e dorëzoi. Në buxhetin e 2023-shit ne nuk kishim të parashikuar një gjë të tillë, fond për qentë. Ata më sulmuan pse nuk i lejova të ndërtojnë pa leje dhe të përvetësojnë tokën. Unë kam marrë dënimin më të madh, dënimi është moral. U kërkoj falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit (u përlot). Oruçi donte që të iki unë dhe të vinte në zbatim projektet e tij, shkoni në Kukës dhe shikoni si i kanë zbaptuar pronat e bashkisë. Abedin Oruçi ndër vite ka pasur 25 çështje penale. Unë kërkoj pafajësi, sepse nuk kam shkelur asnjë ligj.
Mbrojta e Gjicit insiston që Alma Kaçi është paguar për të realizuar videon dhe po ashtu se ajo ka pasur komunikime me Abedin Oruçin në lidhje me çështjen e videos dhe kartën e memories që është bërë regjistrimi. Sipas mbrojtjes, prokuroria nuk ka gjetur paisjen origjinale me të cilën është bërë regjistrimi.
Kujtojmë se hetimet për këtë rast nisën në Qershor 2023 pas publikimit të një videoje të Gjicit dhe Kaçit të xhiruar në ambientet e zyrës së kryebashkiakut gjatë kryerjes së aktit intim.
Video, siç rezultoi nga hetimet ishte xhiruar nga vetë Alma Kaçi. SPAK thotë se fakti që Gjici pas aktit seksual delegon veprimet për projektin e propozuar nga Kaçi te vartësi i tij, ka çuar në konsumimin e veprës penale të korrupsionit. /tvklan.al