Duke folur për ndryshimet në kodin penal, Artan Grubi në Klan Debat dha sqarime në lidhje me analizat që janë bërë derisa janë sjellur këto ndryshime. Sipas Grubit, janë analizuar ligjet dhe kodet penale në vendet e BE-së, me çka është vërejtur që për disa vepra, dënimet në maqedoni kanë qenë shumë më të mëdha.
I pyetur nga gazetarja Xhumadije Ibraimi se me sa vite do të ishte dënuar ish kreu i DSK-së, Mijallkov nëse do të ishte në ndonjë vend të BE-së, Grubi nuk dha përgjigje, pasi u shpreh si jokompetent.
“Varet. Nuk jam gjykatës, nuk jam prokuror. Nuk e bëj dot punën e tyre. .. I kemi analizuar kodet penale, ligjet. Siç janë ligjet në vende të ndryshme të BE-së dhe si janë tek ne? Ato kanë aktakuza nga më të ndryshmet, nga larja e parave, keqpërdorimi i detyrës, financimi i partive politike, dhuna e çështje tjera që ndërlidhen me keqpërdorimin e detyrës dhe jo vetëm një. Janë dënime të ndryshme…”, tha Grubi, duke shtuar se gjatë analizës së Kodit Penal në vend, dënimet për larje të parave kanë qenë drakonike në krahasim me vendet e BE-së./KlanMacedonia