GJYKATËSJA PRANOI KËRKESËN E RASHKOVSKIT QË ÇULEVI TË THIRRET SI DËSHMITAR
Gjykatësja e lëndës “Softuerët” Fanka Jançulleva – Mihajllovska, ka refuzuar kërkesën e ish sekretarit gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovski, i akuzuar në këtë rast, që ish shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar, Vilma Ruskovka dhe prokurorja Ivana Trajçeva, të thirren si dëshmitare për këtë rast. Ajo po ashtu, refuzoi edhe propozimin që të dëgjohet edhe njëri nga bashkëpunëtorët profesionalë në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
“Aktgjykimi nuk mund të bazohet në dëshmi të prokurorit publik dhe bashkëpunëtorit profesional, njohuri që ata kanë marrë janë në funksion të procedurës së prokurorisë publike” – tha Gjykatësja.
Gjykatësja refuzoi gjithashtu që të thirren sërish ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski dhe disa dëshmitarë që u propozuan dhe dëgjuan si dëshmitarë të prokurorisë, me arsyetimin se, mbrojtja ka pasur rast t’u parashtrojë pyetje dhe nuk ka theksuar rrethana të reja që ata të thirren përsëri. Megjithatë, si dëshmitar do të paraqitet ish ministri i Brendshëm teknik, Naqe Çulev. Rashkovski ka kërkuar që Çulev të dëshmojë, sepse ai ka qenë ministër teknik në periudhën për të cilën ka të bëjë akuza.
Ndryshe, Rashkovski dhe gjashtë persona tjerë në rastin “Softuerët” akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimin të katër procedurave për furnizim publik të sistemit për identifikimin biometrik, softuer për përcaktimin e shpejtësisë mesatare të automjeteve në trafik dhe furnizime publike të kamerave dhe pajisjeve për njohjen e targave të regjistrimit. Në akuzë thuhet se Rashkovski nga qershori i vitit 2017 deri në maj 2021 ka lëshuar në qarkullim rreth 87.000 euro, për të cilat ka pasur njohuri se janë nga vepra penale dhe i ka shpërndarë në llogaritë e tij dhe kartelat bankare si dhe në llogaritë e familjes, por edhe para kohe ka shlyer kreditë. Të akuzuarit kanë dëmtuar buxhetin për mbi 300.000 euro. /KlanMacedonia/