Sulmi me raketa ndodh në Kupiansk të rajonit Kharkiv
Një fjalim normal i president rus Vladimir Putin ku përsëriti qëndrimin e tij se Rusia nuk e filloi “të ashtuquajturën luftë” në Ukrainë, por vetëm një “operacion special ushtarak” për ta ndalur atë.
Dhe ndërsa diktatori rus mbante fjalimin vjetor në Klubin e Diskutimit Valdai në Soçi ku u zotua për krijimin e një rendi të ri botëror, ushtria e tij bombardoi një kafene dhe një dyqan ushqimesh në Kupiansk të provincës Kharkiv të Ukrainës duke lënë të vdekur të paktën 51 vetë.
Një tragjedi e dyfishtë pasi njerëzit ishin mbledhur për një përkujtimore. Zyrtarët shpërndanë pamjet e punonjësve të shpëtimit duke kërkuar nëpër rrënojat që digjeshin. Trupa të shtrirë pranë pllakave prej betoni dhe metali.
Ky është sulmi më vdekjeprurës në rajonin e Kharkiv-it që nga fillimi i pushtimit rus mbi 19 muaj më parë. E ndërsa shërbimet e emergjencave zhvillonin operacionin e kërkim shpëtimit, Putini shpallte përpara të ftuarve se Rusia, si vendi më i madh në botë për nga territori, nuk ka nevojë të marrë territor nga Ukraina. U justifikua gjithashtu se konflikti nuk është për këtë arsye perandorake apo territorial, por për krijimin e një rendi të ri global dhe se Perëndimi, i cili sipas Putinit ka humbur fuqinë e tij hegjemonike dhe ka gjithmonë nevojë për një armik, kishte humbur lidhjen me realitetin.
“Ka një presion ushtarak dhe politik gjithnjë në rritje. Ne duhet të përgjigjemi. Unë kam thënë shumë herë që ne nuk e filluam të ashtuquajturën luftë në Ukrainë. Përkundrazi, ne po përpiqemi t’i japim fund asaj. Nuk ishim ne që bëmë grushtin e shtetit në Kiev në vitin 2014, i përgjakshëm dhe antikushtetues.”
Kreu rus e përdori fjalimin për të përçarë Perëndimin dhe e akuzoi Europën se po e ndihmon Ukrainën në kurriz të ekonomisë dhe popujve të saj.
Putini pretendoi gjithashtu se pa ndihmë ushtarake ushtria e ukrainës mund të zgjasë vetëm një javë, ndërsa për shpenzimet e luftës, ato sipas tij do të mbulohen nga ekonomia e Rusisë.
I vendosur nën sanksione të jashtëzakonshme ndërkombëtare, presidenti rus u ankua se Europa po ngre një perde të re të hekurt kundër Rusisë në dëm të saj.
Klan News