Rusia pranon sulmin ndaj infrastrukturës ushtarake në portin e Odesës

Rusia pranon sulmin ndaj “infrastrukturës ushtarake” në portin e Odesës, por nuk sheh asnjë pengesë për eksportin e miliona tonëve grurë nga Ukraina.

Megjithë sulmet me raketa ndaj portit të Odesës në Detin e Zi Moska nuk sheh asnjë pengesë për eksportin e miliona tonëve grurë nga Ukraina. Raketat goditën pjesën e portit që përdoret për qëllime ushtarake dhe që gjendet në një “distancë të konsiderueshme” nga magazinat e grurit, tha të hënën (25.07) Ministri i Jashtëm rus Sergeji Lavrov në Republikën Demokratike të Kongos.

Një ditë më parë Lavrovi kishte deklaruar në një konferencë shtypi në Kairo, e cila u zhvillua pas bisedimeve me kolegun e tij egjiptian Sameh Shukri, se në bazë të marrëveshjes me Ukrainën eksportimi i gruritdo të rifillojë së shpejti dhe se eksportuesit rusë të drithrave “do të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre”. Lavrovi e siguroi homologun e tij egjiptian se Moska është e angazhuar për të rifilluar eksportet e grurit në Afrikë.

Egjipti është një nga importuesit më të mëdhenj të grurit në Botë. Para luftës rreth 80 për qind e importeve vinte nga Rusia dhe Ukraina, prandaj Egjipti është goditur rëndë nga rritja e çmimeve të grurit.

Lavrov po zhvillon një udhëtim disaditor në disa vende të Afrikës. Destinacionet e tjera të udhëtimit të kryediplomatit janë Uganda dhe Etiopia./DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share